Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës/Pjesa III
←Pjesa II | Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës Pjesa III nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara |
Neni 46
[edit]Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim nga të gjithë Shtetet.
Neni 47
[edit]Kjo Konventë i nënshtrohet ratifikimit. Instrumentet e ratifikimit depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 48
[edit]Konventa do të qëndrojë e hapur për aderim nga çdo Shtet. Instrumentet e aderimit depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 49
[edit]- Kjo Konventë hyn në fuqi në ditën e tridhjetë pas datës së depozitimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të instrumentit të njëzetë të ratifikimit ose aderimit.
- Për secilin Shtet që ratifikon këtë Konventë ose aderon në të, pas depozitimit të instrumentit të njëzetë të ratifikimit ose aderimit, Konventa hyn në fuqi ditën e tridhjetë pas depozitimit nga ky Shtet, të instrumentit të tij të ratifikimit ose aderimit.
Neni 50
[edit]- Çdo Shtet Palë mund të propozojë një amendament dhe të depozitojë tekstin pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm ua komunikon pastaj amendamentin e propozuar Shteteve Palë, duke kërkuar që t’i bëjnë të ditur nëse janë për thirrjen e një konference të Shteteve Palë për shqyrtimin e propozimit dhe të hedhjes në votë. Nëse brenda katër muajve pas datës së këtij komunikimi, të paktën një e treta e Shteteve Palë shprehen për thirrjen e një konference të tillë, Sekretari i Përgjithshëm thërret konferencën nën kujdesin e Organiztës të Kombeve të Bashkuara. Çdo amendament i miratuar nga shumica e Shteteve Palë të pranishëm dhe votues në konferencë i paraqitet për miratim Asamblesë së Përgjithshme.
- Një amendament i miratuar në përputhje me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni hyn në fuqi pasi të jetë miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe të jetë pranuar nga dy të tretat e Shteteve Palë.
- Kur një amendament hyn në fuqi, ai bëhet i detyrueshëm për të gjithë Shtetet Palë, që e kanë pranuar dhe Shtetet e tjerë që mbeten të lidhur me dispozitat e kësaj Konvente dhe me të gjithë amendamentet e mëparshme të pranuar prej tyre.
Neni 51
[edit]- Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara merr dhe ua dërgon të gjithë Shteteve tekstin e rezervave të bëra nga Shtetet në çastin e ratifikimit ose të aderimit.
- Nuk lejohet asnjë rezervë e papajtueshme me objektin dhe qëllimin e kësaj Konvente.
- Rezervat mund të tërhiqen në çdo kohë, nëpërmjet njoftimit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili informon për këtë të gjithë Shtetet Palë në Konventë. Njoftimi hyn në fuqi në datën kur ky është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 52
[edit]Çdo Shtet Palë mund ta denoncojë këtë Konventë me anë të një njoftimi me shkrim, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Denoncimi hyn në fuqi një vit pas datës kur njoftimi është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 53
[edit]Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara caktohet si depozitues i kësaj Konvente.
Neni 54
[edit]Origjinali i kësaj Konvente, bërë në gjuhët angleze, arabe, kineze, spanjolle, franceze dhe ruse, me vlerë të barabartë, depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për vërtetim, nënshkruesit, të plotfuqishëm e të ngarkuar ligjërisht nga qeveritë përkatëse, nënshkruan këtë Konventë.