Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës/Pjesa II

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Pjesa I Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës
Pjesa II
nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara
Pjesa III



Neni 42[edit]

Shtetet Palë marrin përsipër t’ua bëjnë gjerësisht të njohura parimet dhe dispozitat e kësaj Konvente, si të rriturve ashtu edhe fëmijëve, me anë të mjeteve energjike të përshtatshme.

Neni 43[edit]

  1. Me qëllim që të shqyrtohen përparimet e arritura nga Shtetet Palë në përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër prej tyre në bazë të kësaj Konvente, krijohet një Komitet mbi të Drejtat e Fëmijës, i cili kryen funksionet e caktuara si më poshtë.
  2. Komiteti përbëhet nga dhjetë ekspertë me moral të lartë dhe që njihen si kompetentë në fushën që trajton kjo Konventë. Anëtarët e tij zgjidhen nga Shtetet Palë midis shtetasve të tyre dhe marrin pjesë me titull personal, duke pasur parasysh një shpërndarje të drejtë dhe sistemet juridike kryesore.
  3. Anëtarët e Komitetit zgjidhen me votë të fshehtë, nga një listë personash të caktuar nga Shtetet Palë. Çdo Shtet Palë mund të caktojë një kandidat nga shtetasit e tij.
  4. Zgjedhja e parë bëhet jo më vonë se gjashtë muaj nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Konvente. Më pas zgjedhjet bëhen çdo dy vjet. Të paktën katër muaj para datës së çdo zgjedhjeje, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara fton me shkrim Shtetet Palë të propozojnë kandidatët e tyre brenda një afati dymujor. Sekretari i Përgjithshëm bën më pas listën alfabetike të kandidateve të caktuar, duke cilësuar Shtetet Palë që i kanë caktuar dhe ua paraqit ata Shteteve Palë në këtë Konventë.
  5. Zgjedhjet bëhen gjatë mbledhjeve të Shteteve Palë, të organizuara nga Sekretari i Përgjithshëm në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këto mbledhje, në të cilat duhet të jenë të pranishëm jo më pak se dy të tretat e Shteteve Palë, kandidatë të zgjedhur në Komitet janë ata që fitojnë numrin më të madh të votave dhe shumicën absolute të votave të Shteteve Palë të pranishëm dhe votues.
  6. Anëtarët e Komitetit zgjidhen për një mandat katërvjeçar. Ata mund të rizgjidhen në qoftë se kandidatura e tyre paraqitet përsëri. Mandati i pesë prej anëtarëve të zgjedhur në zgjedhjen e parë mbaron pas dy vjetësh. Emrat e këtyre pesë anëtarëve hidhen në short nga Kryetari i mbledhjes, menjëherë pas zgjedhjes së parë.
  7. Në rast se një anëtar i Komitetit vdes ose jep dorëheqjen ose deklaron se për çdo arsye tjetër nuk mund t’i kryejë më funksionet e tij në Komitet, Shteti Palë, që kishte paraqitur kandidaturën e tij, emëron një tjetër ekspert nga shtetasit e vet, për të plotësuar vendin e lire deri në përfundimin e mandatit korrespondues, gjë që i nënshtrohet miratimit të Komitetit.
  8. Komiteti miraton rregulloren e tij të brendshme.
  9. Komiteti zgjedh byronë e tij për një periudhë prej dy vjetësh.
  10. Mbledhjet e Komitetit zakonisht mbahen në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ose në çdo vend tjetër të përshtatshëm, të caktuar nga Komiteti. Komiteti mblidhet zakonisht çdo vit. Zgjatja e sesioneve të tij përcaktohet dhe ndryshohet, në rast se është e nevojshme, nga një mbledhje e Shteteve Palë në këtë Konventë, me rezervën e miratimit nga Asambleja e Përgjithshme.
  11. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara vë në dispozicion të Komitetit personelin dhe pajisjet e nevojshme, për të kryer me efektshmëri funksionet që i janë besuar në bazë të Konventës.
  12. Me miratimin e Asamblesë së Përgjithshme, anëtarët e Komitetit të krijuar në bazë të kësaj Konvente paguhen nga të ardhurat e OKB-së, sipas kushteve dhe modaliteteve të caktuara nga Asambleja e Përgjithshme.

Neni 44[edit]

  1. Shtetet Palë marrin përsipër të paraqitin në Komitet, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raporte mbi masat e marra për të përmbushur të drejtat e njohura në këtë Konventë dhe mbi përparimet e në gëzimin e këtyre të drejtave:
    1. Brenda dy vjetëve, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Konvente për Shtetet Palë;
    2. Në vazhdim në çdo pesë vjet.
  2. Raportet e paraqitura në zbatim të këtij neni tregojnë faktorët dhe vështirësitë, në rast se ka, që kanë ndikuar në shkallën e përmbushjes nga Shtetet Palë të detyrimeve të parashikuara në këtë Konventë. Raportet duhet të përmbajnë gjithashtu të dhëna të mjaftueshme për t’i dhënë Komitetit një ide të plotë për zbatimin e Konventës në vendin përkatës.
  3. Shtetet Palë, që kanë paraqitur në Komitet raportin e parë të plotë, nuk përsërisin në raportet që i paraqesin atij në vazhdim, sipas pikës (2) të paragrafit të parë të këtij neni, sqarimet kryesore, të komunikuara qysh më parë.
  4. Komiteti mund t’u kërkojë Shteteve Palë të dhëna plotësuese, që kanë të bëjnë me zbatimin e Konventës.
  5. Komiteti i paraqit çdo dy vjet Asamblesë së Përgjithshme, nëpërmjet Këshillit Ekonomik dhe Shoqëror, një raport mbi veprimtarinë e tij.
  6. Shtetet Palë sigurojnë një shpërndarje të gjerë të raporteve të tyre në vendet e tyre.

Neni 45[edit]

  1. Për të arritur zbatimin efektiv të Konventës dhe për të inkurajuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën që mbulon kjo Konventë:
    1. Agjencitë e specializuara, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe organe të tjera të Kombeve të Bashkuara, kanë të drejtë të përfaqësohen gjatë shqyrtimit të zbatimit të dispozitave të kësaj Konvente, që kanë të bëjnë me mandatin e tyre. Komiteti mund të ftojë agjencitë e specializuara, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe të gjitha organet e tjera kompetente, që ai do ta gjykojë të arsyeshme, për të dhënë mendime të specializuara mbi zbatimin e Konventës në fusha që kanë të bëjnë me mandatin e tyre përkatës. Ai mund të ftojë agjencitë e specializuara, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe organe të tjera të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur raporte mbi zbatimin e Konventës në sektorët që kanë të bëjnë me fushën e veprimtarisë së tyre;
    2. Komiteti u transmeton agjencive të specializuara, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe organeve të tjera kompetente, në rast se e sheh të nevojshme, çdo raport të Shteteve Palë, që përmban një kërkesë ose që tregon një nevojë për këshilla ose ndihmë teknike, së bashku me vërejtjet dhe sugjerimet e Komitetit, në rast se ka të tilla;
    3. Komiteti mund t’i rekomandojë Asamblesë së Përgjithshme, që t’i kërkojë Sekretarit të Përgjithshëm, të ndërmarrë në emër të tij studime për çështje të veçanta, që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijës;
    4. Komiteti mund të bëjë sugjerime dhe rekomandime të përgjithshme, të bazuara në të dhënat e marra në zbatim të neneve 44 dhe 45 të kësaj Konvente. Këto sugjerime dhe rekomandime të natyrës së përgjithshme i transmetohen çdo Shteti Palë të interesuar dhe i përcillen për dijeni Asamblesë së Përgjithshme, të shoqëruara, në rast se ka të tilla, me vërejtjet e Shteteve Palë.