Jump to content

Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli XIV

From Wikisource
Kapitulli XIII Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli XIV (Dispozitat Kalimtare)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës



Neni 146 [Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil]

[edit]
  1. Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute:
    1. Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil dhe organizatat e akterët e tjerë ndërkombëtarë të mandatuar sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, kanë mandatin dhe kompetencat e përcaktuara me Propozimit Gjithëpërfshirës duke përfshirë zotësinë juridike si dhe privilegjet dhe imunitetet e përcaktuara me të.
    2. Të gjitha autoritetet në Republikën e Kosovës bashkëpunojnë plotësisht me Përfaqësuesin Ndërkombëtarë Civil, organizatat dhe akterët tjerë ndërkombëtarë të mandatuar sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007 dhe ndër të tjera i’u japin fuqi ligjore vendimeve ose akteve të tyre.

Neni 147 [Autoriteti Përfundimtarë i Përfaqësuesit Ndërkombëtarë Civil]

[edit]
  1. Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute, Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, është autoriteti përfundimtarë në Kosovë lidhur me interpretimin e aspekteve civile të Propozimit Gjithëpërfshirës. Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdiksion të rishikojë, të pakësojë ose në ndonjë mënyrë të kufizojë mandatin, kompetencat dhe detyrimet e përcaktuara në nenin 146 dhe në këtë nen.

Neni 148 [Dispozitat Transicionale për Kuvendin e Kosovës]

[edit]
  1. Për dy (2) mandatet e para zgjedhore, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë njëzet (20) vende të rezervuara për përfaqësim të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë në mënyrën si vijon: Dhjetë (10) vende do t’u ndahen partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, që janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb të Kosovë, dhe dhjetë (10) vende do t’u ndahen komuniteteve të tjera si vijon: komunitetit Rom një (1) vend; komunitetit Ashkali një (1) vend; komunitetit Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali ose Egjiptian, i cili ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komunitetit Boshnjak tri (3) vende, komunitetit Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend. Çdo vend i fituar përmes zgjedhjeve, do të jetë vend shtesë, përveç dhjetë (10) vendeve të rezervuara që u ndahen përkatësisht komunitetit Serb të Kosovës dhe komuniteteve të tjera.
  2. Pavarësisht nga pika 1 e këtij neni, mandati ekzistues në kohën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të konsiderohet si mandati i parë zgjedhor i Kuvendit, në rast se ky mandat zgjat për së paku dy vite nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.

Neni 149 [Miratimi Fillestar i Ligjeve me Interes Vital]

[edit]

Pavarësisht nga dispozitat e Nenit 81 të kësaj Kushtetute, ligjet me interes vital të radhitura në atë nen, do të miratohen fillimisht me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm të Kuvendit dhe që votojnë.

Neni 150 [Procesi i Emërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve]

[edit]
  1. Shqyrtimi gjithëpërfshirës mbarëkosovar për përshtatshmërinë e të gjithë kandidatëve për emërime të përhershme për gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovë, deri në moshën e pensionimit të përcaktuar me ligj, do të vazhdojë të bëhet në pajtim me Urdhëresën Administrative 2008/2 dhe nuk do të ndikohet nga përfundimi i mandatit të UNMIK-ut, ose nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute.
  2. Të gjithë kandidatët e suksesshëm, të cilët janë emëruar ose riemëruar për gjyqtarë dhe prokurorë nga ana e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, si pjesë e procesit të emërimit, do të vazhdojnë të shërbejnë në postet e tyre deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të tyre, ose deri atëherë kur ata të shkarkohen në pajtim me ligjin.
  3. Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial do t’i paraqesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës rekomandimet për kandidatët për emërimin dhe riemërimin e tyre si gjyqtarë dhe prokurorë, i cili ushtron pushtetin përfundimtar, që t’ia propozojë Presidentit të Kosovës kandidatët për emërim dhe riemërim si gjyqtarë dhe prokurorë.
  4. Të gjithë kandidatët e suksesshëm, të cilët janë emëruar ose riemëruar nga Presidenti i Kosovës si gjyqtarë dhe prokurorë, sipas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si pjesë e procesit të emërimit, do të vazhdojnë të shërbejnë në këto poste deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të tyre, ose deri atëherë kur ata të shkarkohen në pajtim me ligjin.
  5. Pavarësisht nga dispozitat e nenit 105 të kësaj Kushtetute, mandati i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që në mënyrë të suksesshme e kalojnë procesin e emërimit siç është përcaktuar në këtë nen dhe të cilët kanë ushtruar funksionin së paku dy vjet para emërimit, sipas këtij neni, është i përhershëm deri në moshën e pensionimit sikurse është përcaktuar më ligj, përveç nëse shkarkohen në pajtim me ligjin.

Neni 151 [Përbërja e Përkohshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës]

[edit]
  1. Deri në fund të mbikëqyrjes ndërkombëtare të zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të përbëhet siç vijon:
    1. Pesë (5) anëtarë janë anëtarë kosovarë të Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, që janë verifikuar nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, si pjesë e fazës së parë dhe të dytë të procesit të emërimit, në pajtim me Urdhëresën Administrative 2008/02. Prej këtyre pesë (5) anëtarëve, një (1) gjyqtar dhe një (1) prokuror të zgjedhur sipas metodës së rastësisë, do të shërbejnë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës deri në skadimin e natyrshëm të mandateve të tyre ekzistuese, kur do të zëvendësohen me një (1) gjyqtar dhe një (1) prokuror të verifikuar nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial dhe që janë zgjedhur nga ana e kolegëve të tyre, duke iu përmbajtur metodave që kanë për qëllim sigurimin e përfaqësimit sa më të gjerë të shërbimit të Gjyqësorit dhe Prokurorisë. Dy (2) gjyqtarët e mbetur dhe një (1) prokuror nga radhët e pesë (5) anëtarëve kosovarë të Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, do të shërbejnë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për një mandat plotësues njëvjeçar pas skadimit të natyrshëm të mandatit të tyre, kur ata do të zëvendësohen me procedurë të njëjtë sikur edhe ish-kolegët e tyre të Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial. Në rast të themelimit të një subjekti përgjegjës për çështjet e emërimit, disiplinës dhe shkarkimit të prokurorëve, të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës do të jenë gjyqtarë.
    2. Tetë (8) anëtarët e tjerë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës do të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës në mënyrën e përcaktuar me këtë Kushtetutë, përveç dy (2) nga katër (4) anëtarët e zgjedhur nga deputetët e Kuvendit që mbajnë vende të fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve, duhet të jenë ndërkombëtarë, të përzgjedhur nga Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil, sipas propozimit të Misionit Evropian për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtes. Njëri nga anëtarët ndërkombëtarë duhet të jetë gjyqtar.

Neni 152 [Përbërja e Përkohshme e Gjykatës Kushtetuese]

[edit]
  1. Deri në fund të mbikëqyrjes ndërkombëtare të zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, Gjykata kushtetuese do të përbëhet si në vijim:
    1. Gjashtë (6) nga nëntë (9) gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit.
    2. Nga gjashtë (6) gjyqtarët, dy (2) do të shërbejnë për një mandat trevjeçar, pa mundësi të rizgjedhjes, dy (2) do të shërbejnë për një periudhë gjashtëvjeçare, pa mundësi të rizgjedhjes, dhe dy (2) do të shërbejnë për një periudhë nëntëvjeçare, pa mundësi të rizgjedhjes. Mandatet e gjyqtarëve fillestarë do të zgjidhen me short, nga Presidenti i Republikës së Kosovës, menjëherë pas emërimit të tyre.
    3. Nga gjashtë (6) gjyqtarët, katër (4) do të zgjidhen votat e dy të tretave (2/3) të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë. Dy (2) do të zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët mbajnë vendet që janë rezervuar ose garantuar për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
    4. Tre (3) gjyqtarë ndërkombëtarë do të emërohen nga Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil paskonsultimit me Kryetarin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Tre (3) gjyqtarët nuk do të jenë qytetarë të Kosovës dhe as të ndonjë vendi fqinj.
    5. Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil do të përcaktojë se kur skadon mandati i gjyqtarëve ndërkombëtarë, dhe gjyqtarët do të ndërrohen sikur është e parashikuar me Kushtetutë.

Neni 153 [Prania Ndërkombëtare Ushtarake]

[edit]
  1. Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007. Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake. Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdikcion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoj mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen.

Neni 154 [Trupat e Mbrojtjes të Kosovës]

[edit]
  1. Trupat e Mbrojtjes të Kosovës do të shpërbëhen brenda një viti pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute. Deri në shpërbërje, Prania Ndërkombëtare Ushtarake, në konsultim me Përfaqësuesin Ndërkombëtarë Civil dhe Republikën e Kosovës do të ketë autoritet ekzekutiv mbi Trupat e Mbrojtjes të Kosovës dhe vendos për dinamikën kohore të shpërndarjes.

Neni 155 [Shtetësia]

[edit]
  1. Të gjithë banorët e ligjshëm të Kosovës në datën e miratimit të kësaj Kushtetute, gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
  2. Republika e Kosovës ua njeh të drejtën në shtetësinë e Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish- Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998, dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë. Neni 156 [Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur Brenda Vendit] Republika e Kosovës promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre.

Neni 157 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës]

[edit]
  1. Deri në fund të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, Revizori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës do të jetë një ndërkombëtar i emëruar nga Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil.

Neni 158 [Autoriteti Qendror Bankar]

[edit]
  1. Deri në fund të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës do të emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas marrjes së pëlqimit nga Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil.

Neni 159 [Pronat dhe Ndërmarrjet në Pronësi Shoqërore]

[edit]
  1. Të gjitha ndërmarrjet që ishin në tërësi ose pjesërisht në pronësi shoqërore, para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, do të privatizohen në pajtim me ligj.
  2. Të gjitha interesat në pronësi shoqërore në prona dhe ndërmarrje në Kosovë do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës.

Neni 160 [Ndërmarrjet në Pronësi Publike]

[edit]
  1. Republika e Kosovës do t’i ketë në pronësi të vet të gjitha ndërmarrjet në Republikën e Kosovës që janë ndërmarrje në pronësi publike. Të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me këto të drejta pronësore do të jenë obligime të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës mund të privatizojë, të japë me koncesion ose të japë me qira ndërmarrjet në pronësi publike në mënyrën e rregulluar me ligj.
  2. Të drejtat e pronësisë, që kanë të bëjnë me një ndërmarrje në pronësi publike e cila ofron shërbime vetëm në një komunë specifike ose në një numër të kufizuar të komunave, do të jenë të drejta pronësore të komunës ose komunave përkatëse. Obligimet në lidhje me të drejtat e tilla pronësore do të jenë obligime të komunës ose komunave përkatëse. Kuvendi mundet me ligj të identifikojë një ndërmarrje të tillë dhe komunën a komunat, që kanë të drejta pronësore dhe obligimet lidhur me to. Nëse përcaktohet me ligj, komuna a komunat përkatëse, ndërmarrjet në pronësi shoqërore mund t’i privatizojnë, t’i japin me koncesion ose t’i lëshojnë me qira.

Neni 161 [Transicioni i Institucioneve]

[edit]
  1. Me përjashtim të rastet kur Kushtetuta përcakton një transicion tjetër, të gjitha kompetencat, përgjegjësitë dhe detyrimet e institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë, do t’u kalojnë menjëherë atyre institucioneve në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute. Kohëzgjatja e mandatit të secilit institucion para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, do të mbetet e paprekur dhe e pandryshuar deri në skadimin e rregullt, ose deri në zgjedhjet e reja.
  2. Deri ne zgjedhjet e para parlamentare pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, Kryesia e Kuvendit mbetet me kompetencat e parapara në mandatin e saj ekzistues. Pas seancës konstituive të Kuvendit të parë pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, Kryesia e Kuvendit ristrukturohet në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.
  3. Dispozitat e nenit 70.3.(3) nuk do të aplikohen deri në seancën konstituive të Kuvendit pas zgjedhjeve të para parlamentare pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.
  4. Deri në formimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, funksionet dhe përgjegjësitë e tij do të i kryejë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Neni 162 [Hyrja në Fuqi]

[edit]
  1. Kushtetuta e Republikës së Kosovës hyn në fuqi më 15 qershor 2008.