Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli XIII

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Kapitulli XII Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli XIII (Dispozitat Përfundimtare)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli XIV



Neni 143 [Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës][edit]

  1. Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute:
    1. Të gjitha autoritetet në Republikën e Kosovës veprojnë në pajtim me të gjitha detyrimet e Republikës së Kosovës sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007. Ato do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre.
    2. Dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007 kanë epërsi ndaj të gjitha dispozitave të tjera ligjore në Kosovë.
    3. Kushtetuta, ligjet dhe aktet tjera ligjore të Republikës së Kosovës interpretohen në pajtueshmëri me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007. Në rast se ka papajtueshmëri midis dispozitave të kësaj Kushtetute, ligjeve dhe akteve të tjera ligjore të Republikës së Kosovës dhe dispozitave të marrëveshjes, kjo e fundit do të mbizotërojë.

Neni 144 [Amendamentimi][edit]

  1. Qeveria, Presidenti ose një e katërta (1/4) e deputetëve të Kuvendit, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, mund të propozojnë ndryshime dhe amendamentime të kësaj Kushtetute.
  2. Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës.
  3. Ndryshimet në këtë Kushtetutë mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi të ketë adresuar Kryetari i Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
  4. Ndryshimet e Kushtetutës hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Neni 145 [Vazhdimësia e Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe e Legjislacionit të Aplikueshëm][edit]

  1. Marrëveshjet ndërkombëtare dhe aktet e tjera për bashkëpunimin ndërkombëtarë, që janë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, do të vazhdojnë të respektohen deri atëherë kur ato marrëveshje ose akte të rinegociohen ose kur të bëhet tërheqja nga to në pajtueshmëri me kushtet e tyre ose deri atëherë kur ato të zëvendësohen nga marrëveshje ose akte të reja ndërkombëtare me të cilat mbulohen fushat e njëjta dhe që janë miratuar në pajtim me këtë Kushtetutë.
  2. Legjislacioni i aplikueshëm në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute vazhdon të zbatohet për aq sa të jetë në pajtueshmëri me këtë Kushtetutë, derisa të mos shfuqizohet, zëvendësohet ose amendamentohet në pajtueshmëri me këtë Kushtetutë.