Vjeshta në Parakalim

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Vjeshta në Parakalim
by Migjeni

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona,
dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi.

Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.

Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
me vaj i mshtjellin në lutje por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund?!

Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n’orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri inaltohet nën qiella ma t’epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së vafun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.