Ujku dhe Qengji

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Ujku dhe Qengji
by Andon Zako Çajupi

M'i forti në këtë jetë,
punon dhe bën si do vetë.
Një qengj i majmë shumë
pi ujë në lumë.
Një ujk u lëshua
dhe iu afërua:
Uria e kish shtrënguar
dhe kish dalë për të gjuar.
- Pse trumbullon ujë?, - thotë gjakëtori,
se kur e pa gengji nga frika përmori.
- Zot' i math, - tha qengj' i ngratë, -
Ndëgjomë, jeta t'u ngjatë,
mos u zemëro,
të lutem shiko.
Zot, lumi shkon poshtë, ti pi përmi mua
ujë të kulluar,
- Jo! U trumbullua.
Pastaj kam ndëgjuar
që më ke sharë
një vit më parë.
- Zot, s'kesha lerë.
- Yt vëlla. - Po s'kam. - Të tjerë,
yt at, qentë dhe baritë
rrin' e më shajnë përditë,
nukë kam dyshim,
ndaj sot s'ke shpëtim,
se për këtë shkak
dua të marr gjak. -
Dhe u hodh e zuri,
ndë një pyll e shpuri,
e mbyti, e çqeu,
se kshtu i pëlqeu.


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.