Sulltani

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Sulltani
by Andon Zako Çajupi

Jam sulltan, mbret i vërtetë,
shok të tjerë s'kam në jetë;
gjakëtor e zemërderr,
nga frika më bëjnë nder!
Dola nga fund' i Azisë
si rrebesh' i perëndisë:
Vrava, preva e shkretova,
botën me gjak e mbulova!')
Kur zotova Anadollë,
erdha mora dhe Stambollë,
njerëzit i shkova në thikë,
dhe, kush mbeti, rron me frikë!...
Jam i keq si egërsirë,
të urtët janë të mirë,
dua të quhem i marrë,
po puna të vejë barë.
Thera grekër e bullgarë,
thera ermenët e mjerë,
thera sa munda të tjerë!
Egërsirë si ariu,
me fytyrë si njeriu,
me dërgoi perëndia,
që të vuaj' njerëzia!
Evropa që më shikon,
të më bëjë gjë s'guxon,
se ka mejtime të tjera...
Prisha, vrava, preva, hera!
Bëra.. po ç'nukë kam bërë?
Prisha botënë të tërë!
Mysliman' e të krishterë
Kam dërguar n'atë jetë,
me tepër se ç'vdiqnë vetë!
Jam i zoti, rroj me pallë,
s'dua të shoh njerëz të gjallë!
Nat' e ditë gjak kërkoj,
pa pirë gjak s'munt të rroj!
Dhe tani q'u bëshë plak,
nukë munt të fryhem gjak!
Ata që kam nënë zgjedhë,
të mundijë tok t'i mbledhë,
me dorë time t'i vrasë,
të pijë gjakn' e rajasë!
Pse s'u bë nga perëndia
me një kokë njerëzia,
që ta presë menjëherë,
të mos mbeteshin të tjerë!
Të mbetej dheu i shkretë,
se doje të rroje vete:
me egërsira të rrojë,
pa frikë të mbretëroje,
se më duan e i dua,
jemi një gjak e një sua!
S'lash njeri pa të keq!
Gra e burra, djem e pleq,
dridhenë kur më kujtojnë:
mëmatë më mallëkojnë,
më mallëkojnë të vetë
edhe qajnë dit' e natë!
Qajnë! Po kush nukë qa?
Qajnë burra, qajnë gra,
qajnë maletë për pyje,
qajnë fushatë për lule!...
Kudo shkela u tha bari,
ç'la pushka e dogji zjarri!...
Egërsirë si ariu,
hëngra dhe mish njeriu!
Si kam dashur kam punuar,
pse nukë jam i gëzuar?
I lig jam, të liga dua,
nga kush më vjen frikë mua?
Nukë di se ç'kam i ziu,
nga frika gjaku më ngriu...
Me punëra që kam bërë,
më duken armiq të tërë,
mysliman' e të krishterë;
sa dhe trimat shqipëtarë
zun' e më punojnë varre!
Humba Morën' e Vllahinë,
Bullgarinë me Serbinë.
Bosnjenë me Mal' e Zi,
Gjiritnë me Thesali.
Keshë kombn' e Shqipërisë,
direk i gjithë Turqisë;
pse s'më priti sa të vdesë
pa të më dil i pabesë!
Me Shqipëri të lëftonem,
kam frikë mos turpëronem;
kam frikë nga Skënderbeu
mos dalë prapë nga dheu!...
Se ç'mendoj, a ç'jam i marri!
S'më bën dot gjë shqipëtari
dhe sa të jem vet' i gjallë,
nga zgjedha s'ka për të dalë.
Pas meje në këtë jetë,
guri mbi gurë mos mbetë!


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.