Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e dhjetë
Appearance
←Pjesa e nëntë | Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Pjesa e dhjetë (Prokuroria) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë |
Pjesa e njëmbëdhjetë→ |
Neni 148
[edit]- Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.
- Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.
- Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve.
Neni 149
[edit]- Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
- Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit.
- Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.
- Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit.