Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli XI

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Kapitulli X Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli XI (Sektori i Sigurisë)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli XII



Neni 125 [Parimet e Përgjithshme][edit]

  1. Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencën, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet.
  2. Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës mbrojnë sigurinë publike dhe të drejtat e të gjithëve në Republikën e Kosovës. Institucionet veprojnë me transparencë të plotë dhe në pajtim me standardet demokratike e me të drejtat e njeriut të njohura ndërkombëtarisht. Institucionet e Sigurisë duhet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës.
  3. Republika e Kosovës respekton plotësisht të gjitha marrëveshjet e aplikueshme ndërkombëtare dhe ligjin përkatës ndërkombëtar dhe bashkëpunon me organet ndërkombëtare të sigurisë e me homologët rajonalë.
  4. Kontrolli civil dhe demokratik mbi institucionet e sigurisë garantohet.
  5. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbikëqyr buxhetin dhe politikat e institucioneve të sigurisë, sikur rregullohet me ligj.

Neni 126 [Forca e Sigurisë e Kosovës][edit]

  1. Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgoj pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.
  2. Forca e Sigurisë e Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj.
  3. Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila gjithmonë i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike.
  4. Forca e Sigurisë e Kosovës është profesioniste, pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës dhe rekrutohet nga shtetasit e Republikës së Kosovës.
  5. Komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të Qeverisë. Organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.

Neni 127 [Këshilli i Sigurisë i Kosovës][edit]

  1. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, përgatit strategjinë e sigurisë për Republikën e Kosovës. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka edhe rol këshillues në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Republikën e Kosovës.
  2. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës kryesohet nga Kryeministri me mbështetje nga Qeveria, përveç gjatë periudhës së Gjendjes së Jashtëzakonshme, sikurse është parashikuar me këtë Kushtetutë.
  3. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të kërkojë takime të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës, dhe Këshilli është i obliguar të bashkërendojë punën e tij ngushtësisht me Presidentin. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me autoritetet ndërkombëtare.
  4. Anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës emërohen dhe shkarkohen në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Neni 128 [Policia e Kosovës][edit]

  1. Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
  2. Policia e Republikës së Kosovës është profesioniste dhe pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës.
  3. Kryeministri emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës me rekomandimin e Qeverisë dhe në pajtim me ligjin. Organizimi i brendshëm i Policisë së Kosovës, rregullohet me ligj.
  4. Policia e Republikës së Kosovës ka zinxhir të unifikuar komandues në tërë Republikën e Kosovës, me stacione policore të cilat korrespondojnë me kufijtë komunalë. Policia e Kosovës lehtëson bashkëpunimin me autoritetet komunale dhe udhëheqësit e bashkësive përmes themelimit të Këshillave Lokale, sikur është rregulluar me ligj. Përbërja etnike e policisë brenda një komune duhet të pasqyron, deri në shkallën më lartë të mundshme, përbërjen etnike të popullsisë brenda komunës përkatëse.
  5. Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për kontrollin e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.

Neni 129 [Agjencia e Kosovës për Inteligjencë][edit]

  1. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë zbulon, heton dhe mbikqyr kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës.
  2. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është profesioniste,politikisht e paanshme, shumetnike dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes nga Kuvendi në mënyrën e përcaktuar me ligj.
  3. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri, pas konsultimit me Qeverinë, së bashku emërojnë Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kualifikimi dhe mandati, rregullohen me ligj.
  4. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri marrin të njëjtat informacione në lidhje me inteligjencën.

Neni 130 [Autoriteti Civil i Aviacionit][edit]

  1. Autoriteti Civil i Aviacionit të Republikës së Kosovës rregullon veprimtarinë e aviacionit civil në Republikën e Kosovës dhe është ofrues i shërbimeve të navigacionit ajror, sikur është përcaktuar me ligj.
  2. Autoriteti Civil i Aviacionit bashkëpunon plotësisht me autoritetet relevante ndërkombëtare dhe vendore, të përcaktuara me ligj.

Neni 131 [Gjendja e Jashtëzakonshme][edit]

  1. Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur:
    1. ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes;
    2. ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike;
    3. ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
  2. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet. Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të Komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen.
  3. Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
  4. Nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
  5. Gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh. Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej.
  6. Kuvendi mund të vendosë kufizime të tilla, sipas nevojës, për sa i përket kohëzgjatjes dhe shkallës së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  7. Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.
  8. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.
  9. Ligji përcakton parimet, lëmit dhe mënyrën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara si pasojë e kufizimeve të vendosura gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme.