Jump to content

Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli VII

From Wikisource
Kapitulli VI Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli VII (Sistemi i Drejtësisë)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli VIII



Neni 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]

[edit]
  1. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.
  2. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
  3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
  4. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
  5. Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese.

Neni 103 [Organizimi dhe Jurisdiksioni i Gjykatave]

[edit]
  1. Organizimi, funksionimi dhe jurisdiksioni i Gjykatës Supreme dhe i gjykatave të tjera, rregullohen me ligj.
  2. Gjykata Supreme e Kosovës është autoriteti më i lartë gjyqësor.
  3. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, por jo më pak se tre (3) gjyqtarë, do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
  4. Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe shkarkon Presidenti i Kosovës, nga radhët e gjyqtarëve te Gjykatës Supreme, për mandat shtatëvjeçar, pa mundësi të riemërimit, pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin ose shkarkimin e saj/tij.
  5. Kryetarët e të gjitha gjykatave të tjera emërohen në mënyrën e përcaktuar me ligj.
  6. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve nga cilado gjykatë tjetër, e themeluar me jurisdiksionin e apelit, por jo më pak se dy (2) gjyqtarë do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
  7. Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme.

Neni 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve]

[edit]
  1. Gjyqtarët i emëron, riemëron dhe shkarkon Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
  2. Përbërja e gjyqësorit pasqyron shumëllojshmërinë etnike të Kosovës dhe parimet e pranuara ndërkombëtarisht të barazisë gjinore.
  3. Përbërja e gjykatave pasqyron përbërjen etnike të jurisdiksionit territorial të gjykatës përkatëse. Para dhënies së propozimit për emërim ose riemërim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës këshillohet me gjykatën përkatëse.
  4. Gjyqtarët mund të shkarkohen nga funksioni për shkak të dënimit për një vepër të rëndë penale ose për mosrespektimin e rëndë të detyrave.
  5. Gjyqtarët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimit mbi shkarkimin drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme të Kosovës.
  6. Gjyqtarët nuk mund të transferohen kundër vullnetit të tyre, përveç nëse është parashikuar ndryshe me ligj, për shkak të funksionimit efikas të gjyqësorit ose masave disiplinore.

Neni 105 [Mandati dhe Riemërimi]

[edit]
  1. Mandati fillestar për gjyqtarët është trevjeçar. Në raste të riemërimit, mandati është i përhershëm deri në moshën e pensionimit, sikurse është përcaktuar më ligj, përveç nëse shkarkohet në pajtim me ligjin.
  2. Kriteret dhe procedurat për riemërimin e një gjyqtari, përcaktohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ato mund të dallojnë në shkallë nga kriteret e përdorura për shkarkimin e gjyqtarëve.

Neni 106 [Papajtueshmëria]

[edit]
  1. Gjyqtari nuk mund të ushtrojë ndonjë funksion në institucionet shtetërore jashtë gjyqësorit, të jetë i përfshirë në ndonjë aktivitet politik ose ndonjë aktivitet tjetër të ndaluar me ligj.
  2. Gjyqtarëve nuk u lejohet të marrin përgjegjësi ose të jenë bartës të funksioneve, të cilat në çfarëdo mënyre, do të ishin në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë së rolit të gjyqtarit.

Neni 107 [Imuniteti]

[edit]
  1. Gjyqtarët, përfshirë edhe gjyqtarët porotë, gëzojnë imunitetin nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni, për vendimet e marra, votimin e bërë, mendimin e shprehur dhe për veprimet e tjera të ndërmarra që janë brenda fushëveprimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre si gjyqtarë.
  2. Gjyqtarët, përfshirë edhe gjyqtarët porotë, nuk gëzojnë imunitet dhe mund të shkarkohen nga funksioni, kur të kenë shkelur ligjin me qëllim.
  3. Kur një gjyqtar akuzohet ose arrestohet, duhet të njoftohet pa vonesë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Neni 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës]

[edit]
  1. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor.
  2. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme, dhe të pasqyrojnë plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës e të ndjekin parimet e barazisë gjinore. Këshilli do t’u japë përparësi për emërim si gjyqtarë, anëtarëve të komuniteteve të nën përfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj.
  3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është po ashtu përgjegjës për transferimin dhe për procedurën disiplinore kundër gjyqtarëve.
  4. Propozimet për emërimin e gjyqtarëve duhet të bëhen në bazë të procesit të hapur për emërime, në bazë të meritave të kandidatëve, dhe ky propozim pasqyron parimin e barazisë gjinore dhe përbërjen etnike të jurisdiksionit territorial të gjykatës përkatëse. Të gjithë kandidatët duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.
  5. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për inspektimin gjyqësor, administrimin gjyqësor, përpilimin e rregullave për gjykatat në pajtim me ligjin, punësimin dhe mbikëqyrjen e administratorëve të gjykatave, hartimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit për gjyqësorin, përcaktimin e numrit të gjyqtarëve në secilin jurisdiksion dhe bën rekomandime për themelimin e gjykatave të reja. Themelimi i gjykatave të reja bëhet me ligj.
  6. Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:
    1. Pesë (5) anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit;
    2. Katër (4) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy (2) nga katër (4) anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një (1) do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës;
    3. Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
    4. Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
    5. Papajtueshmëria e të qenit anëtar i Këshillit Gjyqësor rregullohet me ligj.
  7. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga radhët e anëtarëve të vet, zgjedh kryesuesin dhe zëvëndëskryesuesin me mandat trevjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
  8. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës së paku një herë në vit lidhur me Sistemin Gjyqësor.
  9. Kandidatët për pozita gjyqësore, të cilat janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse ky grup i anëtarëve të Këshillit nuk e propozon kandidatin për këtë pozitë gjyqësore pas dy seancave të njëpasnjëshme të Këshillit, atëherë cilido anëtar i Këshillit ka të drejtë të rekomandojë kandidatin për atë pozitë gjyqësore.
  10. Kandidatët për pozita gjyqësore të gjykatave themelore, nën jurisdiksionin e të cilave përfshihet ekskluzivisht territori i një a më shumë komunave, ku shumica e popullsisë i takon komunitetit Serb të Kosovës, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga dy (2) anëtarët e Këshillit që i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për komunitetin Serb në Republikën e Kosovës të cilët veprojnë bashkërisht dhe në mënyrë unanime. Nëse këta dy (2) anëtarë nuk rekomandojnë kandidat gjyqësor për këtë pozitë, gjatë dy seancave të njëpasnjëshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, atëherë cilido anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka të drejtë të propozojë kandidat për atë pozitë.

Neni 109 [Prokurori i Shtetit]

[edit]
  1. Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale ose për ndonjë vepër tjetër, sikurse është rregulluar me ligj.
  2. Prokurori i Shtetit është institucion i paanshëm, dhe vepron në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit.
  3. Organizimi, kompetencat dhe detyrat e Prokurororit të Shtetit rregullohen me ligj.
  4. Prokurori i Shtetit pasqyron përbërjen shumetnike të Republikës së Kosovës dhe respekton parimet e barazisë gjinore.
  5. Mandati fillestar për prokuror është trevjeçar. Në rast të riemërimit, mandati është i përhershëm deri në moshën e pensionimit, sikurse është përcaktuar me ligj, përveç nëse shkarkohet në pajtim me ligjin.
  6. Prokurorët mund të shkarkohen nga funksioni për shkak të dënimit për një vepër të rëndë penale ose për mosrespektimin e rëndë të detyrave.
  7. Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçarë, pa mundësi riemërimi.

Neni 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës]

[edit]
  1. Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore.
  2. Këshilli Prokurorial i Kosovës do të rekrutojë, propozojë, avancojë, transferojë, disiplinojë prokurorët në mënyrën e rregulluar me ligj. Këshilli do t’i japë përparësi emërimit për prokurorë të anëtarëve të komuniteteve të nën përfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj. Të gjithë kandidatët duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.
  3. Propozimet për emërimin e prokurorëve duhet të bëhen në bazë të procesit të hapur për emërime, në bazë të meritave të kandidatëve, dhe ky propozim pasqyron parimin e barazisë gjinore dhe përbërjen etnike të jurisdiksionit territorial përkatës.
  4. Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj.

Neni 111 [Avokatura]

[edit]
  1. Avokatura është profesion i pavarur, e cila ofron shërbime sikur është e rregulluar me ligj.
  2. Mënyra e fitimit të së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit, si dhe marrja e kësaj të drejte, rregullohen me ligj.