Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli IX

From Wikisource
Jump to: navigation, search
Kapitulli VIII Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli IX (Marrëdhëniet Ekonomike)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli X



Neni 119 [Parimet e Përgjithshme][edit]

  1. Republika e Kosovës siguron një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private.
  2. Republika e Kosovës siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme.
  3. Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj.
  4. Republika e Kosovës promovon mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj duke inkurajuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
  5. Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik.
  6. Investitorit të jashtëm i garantohet nxjerrja e lirshme e fitimit dhe kapitalit të investuar jashtë vendit, në pajtim me ligjin.
  7. Garantohet mbrojtja e konsumatorëve, në pajtim me ligjin.
  8. Secili person është i obliguar të paguajë tatimet dhe kontributet e tjera të parapara me ligj.
  9. Republika e Kosovës ushtron të drejtën e pronësisë mbi çdo ndërmarrje që ajo kontrollon në pajtim me interesin publik, me qëllim që të maksimalizojë vlerën afatgjate të ndërmarrjes.
  10. Shërbimet publike të detyrueshme mund të imponohen mbi këto ndërmarrje në pajtim me ligjin, i cili duhet të përcaktojë edhe kompensimin e drejtë.

Neni 120 [Financat Publike][edit]

  1. Shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës.
  2. Administrimi i politikës fiskale në të gjitha nivelet e qeverisë do të jetë në pajtim me kushtet për inflacion të ulët dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të punës.
  3. Huat publike rregullohen me ligj dhe duhet të jenë në pajtim më stabilitetin ekonomik dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Neni 121 [Prona][edit]

  1. Llojet e pronës rregullohen me ligj.
  2. Personat fizikë të huaj dhe organizatat e huaja mund të sigurojnë të drejta të pronësisë mbi pronën e paluajtshme në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj ose me marrëveshje ndërkombëtare.
  3. Personat fizikë të huaj dhe organizatat e huaja në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj, mund të sigurojnë të drejta të koncesionit dhe të drejta të tjera për shfrytëzim dhe/ose eksploatim të resurseve në pronësi publike, përfshirë këtu resurset natyrore, dhe të infrastrukturës në pronësi publike.

Neni 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore][edit]

  1. Populli i Republikës së Kosovës në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj, mund të gëzojë resurset natyrore të Republikës së Kosovës, por nuk mund të shkel obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim ekonomik.
  2. Pasuritë natyrore, si ujërat, hapësira ajrore, pasuritë minerare dhe pasuritë e tjera natyrore, si dhe trualli, pyjet, bota bimore e shtazore, pjesët e tjera të natyrës, paluejtshmëria dhe të mirat e tjera me rëndësi të veçantë kulturore, historike, ekonomike dhe ekologjike, të cilat përcaktuar me ligj se janë përcaktuar me interes për Republikën e Kosovës, gëzojnë mbrojtjen e tyre të veçantë, në pajtim me ligjin.
  3. Kufizimet e të drejtave të pronarëve dhe të drejtave të tjera mbi eksploatimin e të mirave me interes të veçantë për Republikën e Kosovës dhe kompensimi për kufizimet e tilla rregullohen me ligj.