Jump to content

Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli III

From Wikisource
Kapitulli II Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli III (Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli IV



Neni 57 [Parimet e Përgjithshme]

[edit]
  1. Banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (Komunitetet), gëzojnë të drejta të veçanta, të përcaktuara me këtë Kushtetutë, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të kësaj Kushtetute.
  2. Çdo pjesëtar i komunitetit do të ketë të drejtën që të zgjedhë lirisht nëse do të trajtohet ose të mos trajtohet si pjesëtar i komunitetit dhe nga kjo zgjedhje ose nga ushtrimi i të drejtave që ndërlidhen me këtë zgjedhje, nuk do të rezultojë asnjë diskriminim.
  3. Pjesëtarët e komuniteteve do të kenë të drejtë që të shprehin, të avancojnë dhe të zhvillojnë lirisht identitetin dhe atributet e tyre si komunitet.
  4. Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me ligjin e Republikës së Kosovës, dhe nuk i cenon të drejtat e të tjerëve.

Neni 58 [Përgjegjësitë e Shtetit]

[edit]
  1. Republika e Kosovës siguron kushtet e duhura, të cilat u mundësojnë komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre që të ruajnë, të mbrojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre. Qeveria do të përkrahë veçanërisht nismat kulturore të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, përfshirë këtu edhe nëpërmjet ndihmës financiare.
  2. Republika e Kosovës do të promovoj frymën e tolerancës, dialogut dhe do të mbështesë pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe do të respektoj standardet e përcaktuara me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.
  3. Republika e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët mund t’u nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë a dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar.
  4. Republika e Kosovës, sipas nevojës, do të miratojë masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Masat e tilla nuk do të konsiderohen të jenë vepër e diskriminimit.
  5. Republika e Kosovës do të promovoj ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve, si pjesë përbërëse e trashëgimisë së Kosovës. Republika e Kosovës do të ketë detyrë të posaçme për të siguruar mbrojtjen efektive të tërësisë së objekteve dhe monumenteve të rëndësisë kulturore dhe fetare për komunitetet.
  6. Republika e Kosovës ndërmerr veprime efektive kundër të gjithë atyre që pengojnë gëzimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve. Republika e Kosovës do të përmbahet nga politikat ose praktikat që kanë për qëllim asimilimin, kundër vullnetit të tyre, të personave që u përkasin komuniteteve, dhe do t’i mbrojë ata persona nga çfarëdo veprimi që ka për qëllim një asimilim të tillë.
  7. Republika e Kosovës siguron, në baza jodiskriminuese, që të gjitha komunitetet dhe pjesëtarët e tyre të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, të specifikuara me këtë Kushtetutë.

Neni 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre]

[edit]
  1. Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet:
    1. të shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe të ruajnë elementet thelbësore të identitetit të tyre, përkatësisht fenë, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre;
    2. të marrin arsimim publik në të gjitha nivelet, në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës se Kosovës, sipas zgjidhjes së tyre;
    3. të marrin arsimim publik parafillor, fillor dhe të mesëm, në gjuhën e tyre, deri në masën e përcaktuar me ligj, ku pragu për themelimin e paraleleve a shkollave të veçanta për këtë qëllim, do të jetë më i ulët sesa ai që përcaktohet rëndom për institucionet arsimore;
    4. të themelojnë dhe të menaxhojnë institucionet private të arsimit dhe trajnimit, për të cilat mund të jepet ndihma financiare publike, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;
    5. të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre lirisht në jetën private dhe publike;
    6. të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre në marrëdhëniet e tyre me autoritetet komunale ose me zyrat lokale të autoriteteve qendrore në fushat në të cilat ata përfaqësojnë një pjesë të mjaftueshme të popullatës, në pajtim me ligjin. Shpenzimet e bëra për interpretuesit ose përkthyesit, do të mbulohen nga autoritetet kompetente;
    7. të përdorin dhe të shfaqin simbolet e komunitetit, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;
    8. të regjistrojnë emrat personal në formën e tyre origjinale dhe në shkrimin e gjuhës së tyre, si dhe emrat e tyre t’i kthejnë në formën origjinale, nëse u janë ndryshuar me dhunë;
    9. të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse;
    10. të kenë qasje të garantuar dhe përfaqësim të veçantë në mediet transmetuese publike si dhe programet në gjuhën e tyre, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;
    11. të krijojnë dhe të përdorin mediet e tyre vetjake, përfshirë këtu ofrimin e informacioneve në gjuhën e tyre, ndër të tjera, përmes gazetave ditore e shërbimeve kabllore, dhe përdorimin e një numri të rezervuar të frekuencave për mediet elektronike, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Republika e Kosovës do të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e një plani ndërkombëtar të frekuencave, për t’i mundësuar komunitetit Serb në Kosovë qasje në një kanal televiziv të pavarur, të licencuar në gjuhën Serbe, në mbarë Republikën e Kosovës;
    12. të gëzojnë kontakte të papenguara ndërmjet tyre përbrenda Republikës së Kosovës, dhe të themelojnë e të mbajnë kontakte të lira dhe paqësore me personat në cilindo shtet, sidomos me ata që kanë të përbashkët identitetin etnik, kulturor, gjuhësor a fetar, ose trashëgiminë e përbashkët kulturore, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;
    13. të gëzojnë kontakte të papenguara me dhe të marrin pjesë, pa diskriminim, në aktivitetet e organizatave joqeveritare lokale, rajonale dhe ndërkombëtare;
    14. të themelojnë shoqata të kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe shoqata të studiuesve e shoqata të tjera për shprehjen, avancimin dhe zhvillimin e identitetit të tyre.

Neni 60 [Këshilli Konsultativ për Komunitete]

[edit]
  1. Një Këshill Konsultativ për Komunitete vepron nën autoritetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në të të cilin përfaqësohen të gjitha komunitetet.
  2. Këshilli Konsultativ për Komunitete përbëhet, përveç të tjerësh, nga përfaqësues të asociacioneve të komuniteteve.
  3. Mandati i Këshillit Konsultativ për Komunitete përfshin:
    1. ofrimin e një mekanizmi për shkëmbimin e rregullt ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë së Kosovës;
    2. mundësinë e komuniteteve për të komentuar në një fazë të hershme nismat legjislative dhe politike, të cilat mund të përgatiten nga Qeveria, për të sugjeruar nisma të tilla dhe për të kërkuar që pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe programet përkatëse;
    3. çdo përgjegjësi a funksion tjetër, në pajtim me ligjin.

Neni 62 [Përfaqësimi në Organet e Pushtetit Lokal]

[edit]
  1. Në komunat në të cilat së paku dhjetë për qind (10%) të banorëve u përkasin komuniteteve, të cilat në ato komuna nuk janë shumicë, posti i zëvendëskryetarit për komunitete të kuvendit të komunës do të rezervohet për një përfaqësues nga radhët e këtyre komuniteteve.
  2. Postin e zëvendëskryetarit do ta mbajë kandidati që i përket popullatës që nuk është shumicë, që ka marrë shumicën e votave në listën e hapur të kandidatëve për zgjedhje për kuvendin e komunës.
  3. Zëvendëskryetari për komunitetet, do të promovojë dialog ndërmjet komuniteteve dhe shërben si pikë formale e kontaktit për adresimin e brengave dhe interesave të komuniteteve që nuk janë shumicë në takimet e kuvendit të komunës dhe në punët e saj. Zëvendëskryetari gjithashtu është përgjegjës për shqyrtimin e ankesave që parashtrohen nga komunitetet ose pjesëtarët e tyre, nëse aktet a vendimet e kuvendit të komunës shkelin të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë. Zëvendëskryetari këto çështje i’a referon kuvendit të komunës, për rishqyrtimin e aktit a të vendimit të marrë.
  4. Në rast se kuvendi i komunës vendos që të mos rishqyrtojë aktin a vendimin e vet, ose nëse zëvendëskryetari vlerëson se, edhe pas rishqyrtimit rezultati përbën shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, ai/ajo mund të parashtrojë çështjen drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të vendosë nëse do të pranojë ta shqyrtojë rastin përkatës.
  5. Në këto komuna përfaqësimi në organin ekzekutiv për komunitetet që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës është i garantuar.