Fyell i Beriut

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Fyell i Beriut
by Andon Zako Çajupi

Bariu, shokë, bariu,
kur gjëmon e fryn veriu,
është përjashta fatziu,
e rreh breshëri dhe shiu!
Barinë, shokë, barinë,
mos e harroni fatzine,
se lë gruan e shtëpinë
t'u kullosë bagëtinë.
kullotni, moj bagëti,
ti, ti, ti. . .
Kullotni, biro, kullotni,
kur të vdes të më kujtoni,
Ndjesë pastë! - të më thoni.

Shikoni barin' e gjorë:
në diell a në dëborë,
bariu me shkop në dorë
ruan deshtë me këmborë.
Vështronje barinë mirë,
me të ngrën' e me të pirë,
t'u marrë dhëntë pa gdhirë,
t'i kullosë me dëshirë,
të rrijë bashkë me to,
to, to, to.
Hani, moj bagëti, hani,
kur të vdes do të më qani,
për mua zi do të mbani!


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.