Drejtshkrimi Prishtinë 1957

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search

REKOMANDIME TË MBLEDHJES SË GJUHTARËVE PËR CAKTIMIN E DISA ÇASHTJEVE T'ORTOGRAFIS SË GJUHËS SHQIPE

Prishtinë 1957

Si vijim i Mbledhjes së gjuhtarëve të mbajtun me datën 14 e 15 nanduer 1952 për zgjidhjen e disa çashtjeve t'ortografís së gjuhës shqipe, Komisioni për gjuhë e letërsi pranë Pleqsís për Kulturë të Këshillit Populluer të Kosovë-Metohís, në mbështetje të planit të vet të punës, thirri edhe nji mbledhje të dytë me 30-31 maj 1957, me qëllim për t'unifikue drejtshkrimin e gjuhës shqipe ndër ne.

Në kët Mbledhje muerën pjesë, pothuejse, gjithë gjuhtarët e Kosovë-Metohís, personeli mësimuer i Seminarit Albanologjik të Fakultetit të Beligradit, gjuhtarët e Republikës Popullore të Maqedonís dhe shum arsimtarë dhe dashamirë të gjuhës shqipe.

Tue marrë parasysh nevojën e sqarimit të disa problemeve gjuhsore aktuale në lidhje me unifikimin e shqipes ndër Shqiptarët e Jugosllavís, u hartue nji referat, por prej dy grupe shokësh dhe ky material iu dërgue për studim njerëzve të ftuem për kët Mbledhje.

Mbas shqyrtimit të gjithanshëm e pik-për-pikë të secilës çashtje të parashtrueme në referate, e tue pasë parasysh përfundimet e Mbledhjes së Parë, kjo Mbledhje pat për qëllim, së pari, me thjeshtue sa të jetë e mundun, ortografín shqipe, por gjithnji tue u kujdesë që të mos cenohet aspak karakteri shkencuer i saj. Për shembull, në lidhje me ë-pazane Mbledhja qe e mendimit që ajo të përdoret vetëm aty ku âsht e domosdoshme. Nji qëndrim i këtillë përligj vetëvehten e i jep dorë zhvillimit të gjuhës bashkëkohore tue qenë në përputhje të plotë me ortoepín, rrugë kjo që medoemos evulucioni i gjuhës do të kalojë nëpër tê për me mbërrijtë zhvillimin e vet të fundit.

Në lidhje me tezat e referateve, Mbledhja vendosi me rekomandue, tashpërtash, kët drejtshktim:

A. FONETIKË[edit]

1) Theksi hunduer (ˆ) të mbahet në të gjitha rasat, ku kjo shqiptohet me zâ të përhundshëm; p.sh. zâ, rrâjë, gjâ, mâ, me bâ, bâj, bâjnë, me prâ, prâj, âsht; lî, blî, mullî, hî, me u thî; hû, drû, pê, frê, drê, për tê, etj. Nëqoftëse mbas theksit hunduer dalin përsëri nazalet e rame: n e m, atëherë theksi hunduer nuk duhet me u shkrue. P.sh. zani, bani (por bâj, bâjnë); lini, blini, mullini, hini, huni, druni; peni, freni, dreni; kamba, vendi, i randë, gjembi, etj.

2) Theksi i shkurtë (`) mbasi përdoret shumë rrallë dhe me qëllim lehtsimi e thjeshtimi të shkrimit, rekomandohet që të mos përdoret fare (përpos punimeve thjesht shkencore). Pra, duhet me shkrue: madje, qe, ende, shi, mu, edhe, pusho, kapërce, etj. (jo madjè, qè, etj.)

3. Gjithashtu për arsye thjeshtimi t'ortografís nuk do të përdoret theksi i gjatë ('), por vetëm n'akuzativin e atyne emnave që mund t'u ngatrrohet kuptimi. P.sh. Nji shok foli për katundarin (mendohet për personin). Por, kur âsht fjala për emnin kolektiv, atëherë duhet të shkruhet me thekës të gjatë. Nji shok foli për katundarín. Duhet me ruejtë puntorin (fjala âsht për personin), kurse për kolektiv: Duhet me ruejtë punëtorín. Pashë drejtorin (personin). Mbylla drejtorín (zyren), etj. Kështu edhe: krijimtarin - (krijimtarín), filozofin - (filozofín), gjeografin - (gjeografín), etj.

B. MORFOLOGJI[edit]

1 - FJALËT ME ORIGJINË TË HUEJ ME I APO J?[edit]

Fjalët me origjinë të huej të futuna në shqipet me ia, ie, io, iu, do të shkruhen me i e jo me j. P.sh.: diagram, diametër, dialekt, diagonal, material, industrial, socializëm, etj. karrocier, minierë, magazinier, bankier, higjienë, ambient, etj. dikcion, komision, milion, nacional, kamion, revolucion, agjitacion, fizionomi, racion, afion, violinë, mision, dimension, agresion, komunikacion, komplikacion, aluzion, divizion, deluzion, erozion etj. akuarium, herbarium, helium, stadium, etj.

Por fjalët e hueja që i janë përshtatë natyrës fonetiko-morfologjike të shqipes, do të shkruhen simbas ortoepís shqipe. P.sh. materje, kopje, mizerje, arterje, me studjue, pejsazh, spjegim etj.

Ndërsa emnat femnorë që mbarojnë me i të theksueme - qofshin me perjardhje të huej ose jo - kur të skajohen, përveç a-së shquese, marrin edhe nji j eufonike. P.sh. Jugosllavi - Jugosllavija, industri - industrija, ekonomi - ekonomija, kimi - kimija, shtëpi - shtëpija, rini - rinija, puntori - puntorija etj.

2 - DREJTSHKRIMI I DISA TRAJTAVE TË FOLJEVE[edit]

Për hir të thjeshtimit dhe tue marrë parasysh se kuptimi i foljes del nga konteksti, foljet e parregullshme me ra dhe me prû këshillohet që të kenë nji trajtë shkrimi gjatë zgjedhimit.

Në prezentin e indikativit:
Me ra:  unë bie, ti bje, ai bje, na biem, ju bini, ata bien.
Me prû: unë bie, ti bje, ai bje, na biem, ju bini, ata bien.
Në prezentin e konjuktivit:
Me ra:  të bie, të bijsh, të bjerë, të biem, të bini, të bien.
Me prû: të bie, të bijsh, të bjerë, të biem, të bini, të bien.

Veta e tretë e prezentit t'indikativit të disa foljeve, ndonse dikur shkruhej me ë në fund, sot jo vetëm që nuk ndëgjohet, por edhe të gjitha foljet tjera në kët vete dhe kohë nuk kanë ë. Pra do të shkruhet: Ai thot. Kjo gjâ po ndodh etj.; kurse në futur, konjuktiv dhe kondicional do të shkruhet me ë:

ai do të thotë         ai të thotë        le të thotë
do të ndodhë           të ndodhë          le të ndodhë

3 - ZGJEDHIMI I FOLJEVE ME ARDHË DHE ME DIJTË NË PREZENTIN E INDIKATIVIT[edit]

Këto folje duhet të zgjedhohen kështu:

Me ardhë:   vij,     vjen,     vjen,    vijmë,    vini,      vijnë.
Me dijtë:   dij,     din,      din,     dijmë,    dini,      dijnë;
ose:        di,      di,       di,      dimë,     dini,      dinë. 

Megjithse për zgjedhimin e foljes me dijtë u lejuen të përdoren dy trajta shkrimi, shumica e të pranishëmve ishin për trajtën e parë.

4 - DREJTSHKRIMI I DISA FJALËVE ME Ç APO SH[edit]

Disa fjalë që përdoren dhe shkruhen diku me sh dhe diku me ç, tash e mbas rekomadnohet me u shkrue me ç. P.sh. çka e jo shka; diçka e jo dishka; çlirim e jo shlirim; çfaqje e jo shfaqje; çfrytzim e jo shfrytzim; etj.

Mund të përjashtohen nga kjo mënyrë shkrimi fjalët: me shque, me shlye, me shkye, shpejt, me shkoqë, etj.

5 - KTHIMI I TOGUT TSH NË Ç[edit]

Mbiemnat e prejardhun që kanë mbrapa për formant shëm e përpiqen me mbaresën e emnit prej kah vijnë, meqenëse t me sh shkrihen në shqiptim në ç, rekomandohet që mâ të shumtën e rasave të shkruhen me çëm. P.sh. mot - i moçëm e jo i motshëm; sot - i soçëm (e jo i sotshëm); çudit - i çudiçëm (e jo i çuditshëm); ment - i mençëm (e jo i mentshëm); sivjet - i sivjeçëm (e jo i sivjetshëm); mërzit - i mërziçëm (e jo i mërzitshëm).

Gjithashtu shkrimja e këtyne dy shkronjave në ç rekomandohet të bâhet edhe n'emnat e prejardhun. P.sh. dritë - ndriçue (e jo ndritshue); ndriçim (e jo ndritshim); vjet - vjeçar (e jo vjetshar).

Në disa fjalë, ku asimilimi i këtyne germave nuk âsht bâ ende plotsisht, mund të mbahet grupi tsh: P.sh. i përditshëm, i përmortshëm, si edhe ndër fjalë tjera ku ky proces âsht ende në zhvillim e sipër.

6 - DREJTSHKRIMI I FJALËVE TË HUEJA ME T APO TH DHE D APO DH[edit]

Mbledhja rekomandon që fjalët e hueja (të futuna në shqipe nga greqishtja e vjetër) me th e dh, do të shkruhen me t e d. P.sh.:

Teoremë, bibliotekë, matematikë, aritmetikë, sintezë, teatër, teori, temë, termometër, ateist, teolog, etj. Didaktikë, pedagogji, Maqedoni, periodë, periodik, metodikë, metodë, katodë, etj.

Emnat gjoegrafikë e historikë shkruhen me th e dh. P. sh. Thrakas, Thesali, Dhimitër, Thanas, etj. Gjithashtu rekomandohet terma gramatikore periudhë të shkruhet me dh si dhe fjala themel me derivatet e veta me th, mbasi këto janë mishnue tashmâ me at ortoepi. Por, mund të lejohet pëdorimi i t-s e i d-s vetëm në disa emna gjeografikë e historikë, të cilët janë rranjosë në shqipet me at shqiptim: P.sh. Teodosi, Termopilet, Teodori, Demosteni, Euripidi, Tuqididi, etj.

7 - TRANSKRIPTIMI I EMNAVE TË HUEJ[edit]

Këshillohet që emnat e huej në gjuhën shqipe të shkruhen simbas parimit fonetik. P.sh. Viktor Ygo, Volter, Njujork, Gete, Zhyl Vern, Guineja e Re, etj.

Lejohet që vetëm në fillim të tekstit emni i huej (po të dihet) të shkruhet në kllapa si n'origjinal. P.sh. Shekspir (Shaekspeare), Mirabo (Mirabeau), Xhek London (Jack London), etj.

Por, duhet me pasë kujdes që shqiptimi të bâhet simbas gjuhës origjinale e jo tërthoraz, nëpërmjet të njij gjuhe tjetër. P.sh. duhet shkrue Ygo e jo Igo, Zyl Vern e jo Zhil Vern, Ymanite e jo Imanite, byrokraci e jo birokraci, nyansa e jo niansa etj.

8 - DREJTSHKRIMI I DISA NDAJFOLJEVE, PARAFJALËVE DHE LIDHZAVE[edit]

Ndajfoljet, parafjalët, lidhzat dhe disa lokucione të tyne që shënohen këtu poshtë, meqenëse paraqesin nji ide, rekomandohet të shkruhen bashkë.

Ndajfoljet: shpeshherë, rrallëherë, menjiherë, përnjiherë, përherë, kurdoherë, aqherë, gjithaq, mbasnesër, pardje, parmbramë, gjithkund, kurrkund, sivjet, përdhe, përsëri, gjithashtu, kësodore, ngrykë, ngojë (zâ), ndore (më vjen), dalngadalë, sëbashku, matanë, teposhtë, mbasdite (mbasdreke), paradite, (paradreke), diqysh, kurrqysh, kurrsesi, kushedi, pahiri, padashtas, përdhunë, etj.

Parafjalët: përmbi, simbas, përkah, nëpër, ndërmjet, përjashta, përmbrenda, përmes, përtej, përkundra, etj. Lidhzat: porsa, sapo, apo, ndonse, sepse, megjithse, megjithkëte, megjithqë, kështuqë, sidoqë, veçse, meqenëse, nëqoftëse (nëse), derisa (ndërsa), qëkurse (qëkur), gjojase, kinse, po ashtu, ngaqë, mbënjanë, mirëpo, domethanë (dmth.), parase, mbëtjetëranë, përse, edhepse, etj.

Nga këto llojfjalë shkruhen ndamas:

Lokucionet ndajfoljore: për s'afërmi, së largu, pa gabim, me të butë, me të keq, pa të keq, me të shpejtë, an'e përtej, çel e mëshel sytë, hap e krah, këtu pari, aty pari, këtu afër, atje larg, me të vështirë, për bukuri, me mend, pa kujdes, deri sot, njiherë moti, qysh moti, sa mâ parë, mâ së fundi, etj.

Prafjalët: deri në, deri te, sa për, me anë (të), në vend të, për punë të, bashkë me, që nga, që në, sa për, etj. Lidhzat: po të, që të, nga që, nga se, etj.

Ndajfoljet e përbame nga përsëritja e njij fjale, me qëllim përforcimi të kuptimit, ndahen me nji vizë në mes. P.sh. herë-herë, tufa-tufa, copa-copa, vende-vende, kamba-kambës, dita-ditës, he-he, fjalë-fjalë, gur-gur, etj.

9 - PËRDORIMI I PRONORËVE ME NYJE DHE PA NYJE[edit]

Mbledhja konstatoi se drejtshkrimi i deritashëm ndër ne i pronorëve si mbiemna e përemna ka qenë i drejtë dhe rekomandon që edhe tash e mbas të mbahet ashtu. P.sh. Kur pronorët merren si mbiemna, dmth. të bashkuem me emna, atëherë do të shkruhen pa nyje:

veshi im         veshit tim            veshin tim;
veshi ynë        veshit tonë           veshin tonë;
veshët tanë      veshëvet tanë         veshët tanë;
pula ime         pulës sime            pulën time;
pula jonë        pulës sonë            pulën tonë;
pulat tona       pulavet tona          pulat tona. 

Nëqoftëse pronorët nuk janë të bashkuem me emna, dmth. merren si përemna - atëherë në rasën emnore shkruhen me nyje. P.sh. Ky libër âsht i imi (i yti, i tij, i yni, i jueji, i tyne), etj. Kjo fletore âsht e imja (e jotja, e saja ose e vetja; e jona, e jueja, e tynja), etj.

10 - PËRDORIMI I FJALËS GJITHË ME NYJE OSE PA TË[edit]

Fjala gjithë kur merret si mbiemën i pakufishëm në gjinín mashkullore shkruhet pa nyje, kurse në gjinín femnore me nyje. Psh. Gjithë njerëzit shkuen. Të gjitha vajzat erdhën.

Por, Mbledhja lejoi që edhe në gjinín mashkullore mbiemni gjithë të përdoret në disa rasa me nyje. P.sh. U porositën të gjithë fëmijt me ardhë në shkollë.

11 - PËRDORIMI I SHKROJËS SË MADHE[edit]

Pos rasave të njoftuna (në fillim të fjalís, mbas pike, te emnat e përveçëm, etj.), Mbledhja rekomandon përdorimin e shkrojës së madhe edhe në këto rasa:

a) N'emna të shoqnive, t'instituteve, të festave, të veprave, të rrugëve - qofshin prej nji a mâ shum fjalësh. P.sh. Shoqnija "Përparimi", Shkolla Normale, Nji Maji, Vjeti i Ri, Lulet e Verës, Kunora e Maleve, Sheshi i Republikës, etj.

b) Emnat gjeografikë si ata të thjeshtë, ashtu edhe të përbamë prej dy a mâ shum fjalësh, shkruhen me shkrojë të madhe: Prishtinë, Gadishulli Ballkanik, Novi Pazar, Katundi i Ri, Strellci i Poshtëm, Mali i Zi, Deti Mesdhe, Oqeani i Qetë, Deti i Ngrimë i Veriut, etj.

Mirëpo, mbiemnat e formuem prej këtyne emnave shkruhen me germë të vogël: P.sh. njeri ballkanik, pordhim jugosllav, popujt europianë, etj.

c) Emnat e shteteve duhet të shkruhen me shkrojë të madhe. P.sh. Republika Federative Popullore e Jugosllavís, Shtetet e Bashkueme t'Amerikës, etj.

ç) Me shkrojë të madhe do të shkruhen edhe konferencat e randsishme, datat historike dhe kongreset. P.sh. Kongresi i VI i Partís komuniste, Kongresi i Manastirit, Plenumi i katërt i Lidhjes socialiste të popullit punues të Jugosllavís, etj.

d) Nuk duhet të shkruhen me shkrojë të madhe përfaqësuesat e partive të ndryshme, të lëvizjeve, t'organizatave, të feve, ditët, muejt e stinët. P.sh. komunist, partizan, realist, romantik, musliman, atolik, demokrat, socialsit, e hanë, e ejte, fruer, prill, verë, dimën, pranverë, etj.

dh) Anët e horizontit shkruhen me shkrojë të vogël. P.sh. veri, jug, perëndim, lindje, verilindje, etj. Por, nëqoftëse këto anë shënojnë popujt e atyne vendeve, atëherë duhet të shkruhen me shkrojë të madhe: Perëndimi (popujt, bloku ose shtetet e perëndimit), Lindja, Lindja e Mesme, Lindja e Largët, etj.

12 - AMBIGJINIJA[edit]

Mbledhja njizanit rekomandon përdorimin e ambigjinís. P.sh.

shtete të mdha            e jo            shtete të mëdhej
male të nalta             e jo            male të naltë
vende të bukura           e jo            vende të bukur
nderimet e mija           e jo            nderimet e mij
këto katunde              e jo            këta katunde
tri grupe                 e jo            tre grupe
ankime të shumta          e jo            ankime të shumtë
çmime të nalta            e jo            çmime të naltë
langje të shijshme        e jo            langje të shijshëm
kombet e bashkueme        e jo            kombet e bashkuem
kroje t'argjenta          e jo            kroje t'argjentë
dimensione të gjana       e jo            dimensione të gjanë, etj.

13 - E-ja DHE U-ja E PAQËNDRUESHME[edit]

E-ja e paqëndrueshme çfaqet si e e patheksueme në fund t'emnavet femnorë, p.sh. lule - lulja, dele - delja, falje - falja, etj. Por, nëqoftëse e-ja fundore e emnavet femnorë âsht e theksueme, atëherë ajo ruhet edhe në trajtën e skajueme: hare-hareja, fole-foleja, rrufe-rrufeja etj.

Emnat që mbarojnë me ur, ull, në trajtën e skajueme në rasat tjera e ruejnë u-n. P.sh. flutur - flutura, squfur - squfuri, vjedull - vjedulla, mjegull - mjegulla, vetull - vetulla, petull - petulla, shpatull - shpatulla, rregull - rregulla, kumbull - kumbulla etj.

14 - PËRDORIMI I Ë-s TE EMNAT, MBIEMNAT, PËREMNAT, NUMRORËT, FOLJET, ETJ.[edit]

A. Ë-ja atone në mbarim të fjalëve

1) Ë-ja vihet në mbarim të njij grupi të madh emnash paraoksitonë të gjinís femnore, kur janë të pashquem: punë, nanë, ditë, mollë. Emnat e kësaj kategorije e ruejnë kudo ë-n gjatë lakimit, si në njajës ashtu edhe në shumës: punë, punës, punën; punët, punëvet, punësh.

2) Disa emna e mbiemna mashkullorë që janë të ngjajshëm në të dy numrat, në shumës marrin ë-n në fund po për arsye fonetike, sepse janë fjalë paroksitone: shok - shokë; gur - gurë; besnik - besnikë, etj.

3) Nji pakicë emnash mashkullorë, te të cilët a-ja atone e njajsit në shumës kthehet më e, e marrin edhe nji ë në fund: dash - deshë, sqap - sqepë, kulaç - kuleçë, ose anasjelltas: rreth - rrathë, thes - thasë, etj.

4) Disa emna e mbiemna që në njajës mbarojnë me diftongun ue+r, në shumës ky diftong shkrihet n'o, prandej në mbarim të këtyne fjalëve duhet vû edhe nji ë; puntuer - puntorë; fjaluer - fjalorë; gastuer - gastorë, etj. Ky vokal duhet të ruhet në të gjitha rasët gjatë lakimit, si për këta emna, ashtu edhe në fjalët e përmenduna në pikat e sipërme 2) e 3). Për shembull: shokët, shokëvet, shokësh; deshët, deshëvet, deshësh; puntorët, punëtorëvet, punëtorësh.

5) Ë-ja vihet në mbarim të ndajfoljeve dhe mbiemnave cilsorë që rrjedhin prej këtyne ndajfoljeve, meqenëse janë fjalë paroksitone: mirë - i mirë, urtë - i urtë, gjatë - i gjatë, etj.

6) Ë-ja vihet edhe në mbarim të mbiemnave foljorë: i lamë, i blemë, i shkrimë, i thatë, etj.

7) Ë-ja vihet edhe në mbarim të mbiemnave numrorë themelorë, tue fillue prej pesë: pesë, gjashtë, shtatë, dymbëdhetë, njizet e tetë, etj.

8) Po ashtu ë-ja përdoret edhe në mbarim të gjithë numrorëve rreshtorë të paskajuem, përpos i katërt (për arsye se âsht fjalë paroksitone): i parë, i dytë, i tretë, i pestë, i gjashtëmbëdhetë, etj.

9) Vokali ë vihet në mbarim të foljeve të zgjedhimit të parë në prezentin e indikativit, te veta e parë dhe e tretë e shumsit: punojmë - punojnë; lyjemë - lyejnë; lajmë - lajnë, etj. (Âsht gabim me shkrue punojim, lyejim, lajim).

10) Ky vokal vihet edhe në mbarim të vetës I, II, III t'aoristit të disa foljeve: lamë - latë - lanë; blemë - bletë - blenë; bamë - bâtë - banë; vumë - vûtë - vunë; hymë - hytë - hynë. (Âsht gabim me shkrue: vuem, hyem, etj.

11) Zanorja ë vihet edhe në mbarim të vetës së tretë të njajsit të prezentit të dëshirores: rrnoftë, qoftë, pastë, u rrittë, ardhtë, etj.

12) Po, ky vokal vihet edhe në mbarim të disa foljeve të zgjedhimit II e III, në mënyrët e pashtjellueme (infinitiv, gjerund e particip): me shitë - tue shitë - shitë; me pyetë - tue pyetë - pyetë; me lagë - tue lagë - lagë; me prishë - tue prishë - prishë; etj.

13) Emnat mashkullorë djalë, burrë, kalë, për arsye fonetike (si fjalë paroksitone), shkruhen me ë.

B. Ë-ja E PAQËNDRUESHME[edit]

1) Te emnat femnorë që mbarojnë me ël, ën, ër, ërr, në njajsin e skajuem ë-ja bie: pupël - pupla; gogël - gogla; femën - femna; dhelpën - dhelpna; kodër - kodra; letër - letra; mjekërr - mjekrra; kokërr - kokrra; etj.

2) Po kjo rregull vlen edhe për emnat mashkullorë që mbarojnë me ën, ër, ës: dimën - dimni, emën - emni; numër - numri, libër - libri; nxanës - nxansi, çelës - çelsi (e jo dimëni, numëri, nxanësi), etj.

3) Ë-ja bie edhe te mbiemnat që marrin sufiksin ët: i dobët - i dobti, i plogët - i plogti, e largët - e largta, e shtrembët - e shtrembta, etj.

4) Sikurse te emnat, ë-ja bie edhe te mbiemnat që mbarojnë me ër, ël: i egër - i egri, i vjetër - i vjetri, e ashpër - e ashpra, i ambël - i ambli, e vogël - e vogla, etj.

5) Kjo rregull vlen edhe për mbiemnat që marrin sufiksin ëm: i tashëm - i tashmi, i mesëm - i mesmi, i moçëm - i moçmi, i vetëm - i vetmi - e vetme - e vetmja, etj.

6) E njajta rregull vlen edhe për mbiemnat që ndërtohen me sufiksin shëm: i ndershëm - i ndershmi, i damshëm - i damshmi, e ndershme - e ndershmja, etj. (e jo i ndershëmi, i damshëmi, e ndershëmja) etj.

7) Te emnat e mbiemnat e përngjitun ruhet i paprekun trupi i fjalës së parë: qafëgjatë, dorëshkrim, botëkuptim, ujësjellës, etj. (e jo qafgjatë, dorshkrim, botkuptim), etj.

8) Ë-ja te emnat femnorë diminutivë, zakonisht, kur të skajohen, bie: fjalëz - fjalza, dorëz - dorza, amëz - amza, etj. Mirëpo, ë-ja mund të ruhet në rasa kur ajo vjen mbas njij bashkëtingllorje fishkllore, sidomos mbas z-s. P.sh. buzëz - buzëza, drrasëz - drrasëza, vashëz - vashëza, etj.

15 - FJALËT E PREJARDHUNA[edit]

Fjalët e prejardhuna edhe në gjuhën shqipe rekomandohet të formohen nga rranjori (radicalis) ose nga rrâja (radix) e fjalëve dhe mbrapashtesat (formantet).

Kështu, kemi emna t'ardhun prej emnash: mal - malsí; treg - tregtí; katundar - katundarí (te kjo fjalë rrâja âsht katund, kurse katundar âsht rranjuer); udhë - udhtar rranjori që âsht baraz me rrâjën âsht udh), e rrjedhimisht: punë - puntuer, luftë - luftar; bimë - bimsí, pemë - pemishtë, etj.

Emna t'ardhun prej foljesh: këndue - këndim; shkrue - shkrim, shkresë; lëngue - lëngim, lëngatë; thartue - thartim, thartinë; bredhë - bredhje; ecë - ecje, ecuní; dalë - dalje (e jo dalëje); pjekë - pjekje - pjekuní; krisë - krizmë, etj.

Emna t'ardhun prej mbiemnash: i mirë - mirsi, i kuq - kuqlosh, i drejtë - drejtësi, i madh - madhsi, besnik - besniki, etj.

Emna t’ardhun prej numrorësh: Nji - njishi, dy - dyshi; dhetë - dhetshi, dhetar, etj.

Emna t'ardhun prej ndajflojesh: shqip - shqipe; shum - shumicë; pak - pakicë; ngadalë - ngadalsi, etj.

Kështu edhe për derivatet e mbiemnavet edhe të foljevet rekomandohet si u tha për emnat. P.sh. nder - i ndershëm; vleftë - i vlefshëm; nevojë - i nevojshëm, nevojtar; botë - botnuer (e jo botënuer); zemër - zemrak, dimën - dimnak, besë - besnik, vjeshtë - vjeshtuk, udhë - udhtoj, punë - punoj, etj.

Mbiemnat që vijnë nga emnat oksitonë me nji ose mâ shum rrokje dhe tregojnë landë, si dhe ata prej nadjfoljeve oksitone marrin mbaresën të, p.sh. ar - i artë, lesh - i leshtë, lî - i lîtë, argjent - i argjentë, drû - i drujtë, gur - i gurtë, lang - i langtë, grun - i gruntë, elb - i elbtë, bredh - i bredhtë, zjarr - i zjarrtë, qull - i qulltë, presh - i preshtë, pambuk - i pambuktë; nalt - i naltë, drejt - i drejtë, shum - i shumtë, pak - i paktë, etj. Ndërsa ata mbiemna që vijnë nga fjalët paroksitone, marrin vetëm nji t, p.sh. hekur - i hekurt, rregull - i rregullt, mjegull - i mjegullt, katër - i katërt, turbull - i turbullt, flakë - i flakët, ashpër - i ashpërt, kaltër - i kaltërt, etj.

Mbiemnat e ardhun nga pjesorët e foljeve të zgjedhimit të dytë e të tretë, dmth. nga foljet rrâja e të cilavet mbaron me bashkëtingllore, shkruhen me ët në fund, p.sh. hap(ë) - i hapët, lag(ë) - i lagët, ngath(ë) - i ngathët, ngordh(ë) - i ngordhët, zbraz(ë) - i zbrazët, mbledh(ë) - i mbledhët, çel(ë) - i çelët, ul(ë) - i ulët, etj.

Po kështu emnat foljorë me im duhet të vijnë nga folja jo nga emni. Pra: udhtim vjen prej udhtue (e jo prej udhë) e pra jo udhëtim. P.sh.:

udhtim  >  udhtue  >  udh(ë)  -  pra jo udhëtim 
coptim  >  coptue  >  cop(ë)  -  pra jo copëtim 
pjestim >  pjestue >  pjes(ë) -  pra jo pjesëtim.

16 - SHUMSI I DISA EMNAVE TË GJINÍS FEMNORE[edit]

Mbledhja vendosi me rekomadnue që trajta e shumsit t'emnave femnorë që mbarojnë me i, e, a të gjatë, të jetë e njajtë si ajo e njajsit të paskajuem. P.sh.

Njajës paskajuem		Shumës i paskajuem
shprehi				shprehi   (jo shprehina)
cilsi				cilsi	  (jo cilsina)
veti				veti	  (jo vetina)
trimni	 			trimni	  (jo trimnina)
drejtsi		   		drejtsi	  (jo drejtsina)
rrufe				rrufe	  (jo rrufena)
ide				ide	  (jo idena)
fole				fole      (jo folena)
kala				kala	  (jo kalana)
hata				hata	  (jo hatana)
bela				bela      (jo belana)

Mirëpo, megjithse mbaresa na âsht solicizëm, në disa rasa mund të lejohet përdorimi i saj. P.sh. arsye - arsye (edhe arsyena), ide - ide (por edhe idena), etj.

17 - NDAMJA E FJALËVE NË RROKJE[edit]

Në ndamjen e fjalëve në rrokje Mbledhja vendosi me rekomandue vetëm për disa rasa që paraqesin pak vështirsi.

a) P. sh. kur mbrenda fjalës ndodhet vetëm nji bashkëtingllore në mes dy zanoresh, bashkëtingllorja shkon me rrokjen e dytë: a-ra; fi-dan; pu-në; pu-lë; lo-pë; etj.

b) Nëqoftëse mbrenda fjalës ndodhen dy a mâ shum bashkëtingllore, të gjitha këto bashkëtingllore shkojnë me rrokjen pasuese, me kusht që në gjuhë të ketë aso fjalësh që fillojnë me kët grup bashkëtinglloresh. P.sh. thu-ndra, ku-ndra, thje-shtra, mjesh-tri, bu-kla, du-shku, ce-le-brim, kon-flikt, ci-ngrim, dë-shprim, Pri-zren, Pe-trit, pul-pë, pu-pël, etj.

c) Fjalët e përbame ndahen në rrokje simbas pjesëve të tyne. P.sh. Për-e-mën, për-ul-je, shpër-ndam-je, krye-ngrit-je, shpër-do-rim, ndër-marr-je, qa-fë-gja-të, gjith-a-shtu, etj. Pos këtyne rregullave të përgjithshme Mbledhja lejoi edhe ndamjen e fjalëve në rrokje simbas shqiptimit ritmik të tyne. P.sh. daj-lan, dësh-mi, bleg-to-ri, luf-toj, për-pa-ri-mi, bu-mbu-lli-ma, etj.

18 - Mâ në fund Mbledhja muer në shqyrtim nji sasi fjalësh të cilat u paraqitën prej disave për me pa se ç'trajtë do të jetë mâ mirë me e përdorë në shkrimet tona. Në lidhje me drejtshkrimin e tyne rekomandohet të mbahen këto trajta:

me mbërrijtë (e jo me mbërrîjtë, me mërri, me mrri, me mbrri a me arrijtë); me ndëgjue (e jo me ndigjue); me mbështetë (e jo me pështetë); me parafytyrue (e jo me parafëtyrue ose paraftyrue). Folja me ndie do të zgjedhohet: Në prezentin-indik.: ndiej, ndien, ndien, ndiejmë, ndieni, ndiejnë; Aorist: ndjeva, ndjeve, ndjeu, ndiem, ndiet, ndien. Pos këtyne do të shkruhet: ndërrim (jo ndrrim); shndërrim (e jo shndrrim ose shëndrrim); fytyrë (e jo fëtyrë ose ftyrë); kundër (e jo kundra); shumsi i emnave ditë, natë, lot, do të jetë: dit, net, lot.


Të ngarkuem prej Komisionit për gjuhë e letërsi pranë Pleqsís për Kulturë të Këshillit Populluer të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohís, këtë material e mbarështruen, plotsuen dhe përgatitën për shtyp Sylejman DRINI e Hasan VOKSHI.