Deklarata e Bolonjës

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Deklarata e Bolonjës
nga Ministrat e Arsimit të Evropës
19 Qershor 1999
Marrë nga [1]




Falë arritjeve të jashtëzakonshme të viteve të fundit, procesi Evropian po bëhet gjithnjë e më tepër një realitet i prekshëm e konkret për Unionin (Evropian) dhe qytetarët e tij. Perspektiva e zgjerimit dhe thellimi i marrëdhënieve me vendet e tjera evropiane, i ofrojnë një dimension tjetër më të gjerë këtij realiteti.
Aktualisht, jemi dëshmitarë të rritjes së ndërgjegjësimit publik në një pjesë të madhe të botës politike, akademike dhe të opinionit publik në përgjithësi, mbi nevojën e krijimit të një Evrope më të plotë e më të shtrirë gjeografikisht që do të mbështetet dhe zhvillohet tek dimensionet e saj intelektuale, kulturore, sociale, shkencore dhe teknologjike.
"Evropa e Njohurive" (A Europe of Knowledge) vlerësohet tashmë si një faktor i pazëvendësueshëm i zhvillimit social dhe njerëzor dhe në të njëjtën kohë edhe si një komponent i rëndësishëm për konsolidimin dhe zhvillimin e qytetarisë evropiane nëpërmjet pajisjes së qytetarëve të saj me njohuritë e nevojshme për të përballuar sfidat e mijëvjeçarit të ri si dhe nëpërmjet ndërgjegjësimit për vlerat dhe trashëgiminë e një hapësire të përbashkët sociale dhe kulturore.
Rëndësia e bashkëpunimit arsimor dhe jo-arsimor në zhvillimin dhe fuqizimin e shoqërive të qëndrueshme, paqësore e demokratike vlerësohet nga të gjithë si shumë e rëndësishme, aq më tepër në kontekstin e situatës ne Evropën jug-lindore.
Deklarata e Sorbonës e 25 Majit 1998, e cila nënvizon pikërisht këto konsiderata, ndërmjet të tjerash thekson edhe rolin qendror të Universiteteve në zhvillimin e dimensionit kulturor Evropian. Në këtë deklaratë theksohet krijimi i hapësirës evropiane të arsimit të lartë si një rrugë kyçe për promovimin e mobilitetit dhe punësimit të qytetarëve nga njëra anë dhe për zhvillimin e përgjithshëm të kontinentit nga ana tjetër.
Disa vende evropiane tashmë e kanë pranuar ftesën për t'u angazhuar për arritjen e objektivave të përcaktuara në këtë deklaratë dhe e kanë nënshkruar atë apo kanë shprehur aprovimin e tyre. Gatishmëria e disa qeverive për të ndërmarrë hapa konkrete është provuar nga reformat e arsimit të lartë që po zbatohen në disa nga këto vende.
Institutet evropiane të arsimit të lartë (nga ana e tyre), e kanë pranuar sfidën dhe si rrjedhim kanë marrë një rol kryesor si në ndërtimin e hapësirës evropiane të arsimit të lartë ashtu dhe në ringjalljen e parimeve themelore të Bologna Magna Charta Universitatum të 1998. Ky fakt merr një rëndësi mjaft të madhe po të marrim në konsideratë se pavarësia dhe autonomia e Universiteteve garantojnë që arsimi i lartë dhe sistemet e kërkimit duhet që në mënyrë të vazhdueshme të adaptohen në përputhje me ndryshimet e nevojave dhe kërkesave të shoqërisë si dhe me ndryshimet e ardhura si pasojë e zhvillimit të shkencës në tërësi.
Aktualisht është përcaktuar si drejtimi ashtu dhe qëllimi i rrugës që duhet ndjekur. Arritja e një baze më të mirë për përputhshmërinë dhe krahasueshmërinë e sistemeve të arsimit të lartë nuk mund të realizohet pa një përpjekje të vazhdueshme. Ne duhet ta mbështesim atë nëpërmjet promovimit të masave dhe planeve për realizimin e hapave konkrete në këtë drejtim. Në takimin e 18 Qershorit morën pjesë shumë ekspertë dhe akademikë me reputacion nga të gjitha vendet tona, të cilët na ndihmuan me mjaft sugjerime dhe iniciativa që do të duhet të konsiderohen.
Një vëmendje mjaft të veçantë duhet t'i kushtojmë objektivit për rritjen e konkurrencës ndërkombëtare në sistemin evropian të arsimit të lartë. Vitaliteti dhe efikasiteti i çdo civilizimi mund të matet nga jehona e kulturës së tij në vendet e tjera. Ne duhet të sigurojmë që sistemi evropian i arsimit të lartë të fitojë një shkallë të lartë tërheqjeje në mbarë botën, të njëjtë me ate të traditës kulturore dhe shkencore.
E ndërsa shprehim mbështetjen për parimet e përgjithshme të përcaktuara në deklaratën e Sorbonës, ne angazhohemi për koordinimin e politikave tona për të arritur në një kohë të shkurtër (dhe sidoqoftë brenda dekadës së parë të mijëvjeçarit të tretë), objektivat e mëposhtme, të cilat në i konsiderojmë si prioritare për krijimin e një hapësire evropiane të arsimit të lartë dhe për promovimin e sistemit evropian të arsimit të lartë në mbarë botën:


Adoptimi i një sistemi të gradave shkencore lehtësisht të njohshme dhe të krahasueshme, gjithashtu përmes Suplementit të Diplomës, me qëllim që të nxitet aftësia për punësim e qytetarëve evropianë dhe konkurrenca ndërkombëtare e sistemit europian të arsimit të lartë.
Adoptimi i një sistemi kryesisht të bazuar në dy cikle kryesore, universitare dhe të diplomuar me grada shkencore. Promovimi për në ciklin e dytë do të kërkojë plotësimin e sukseshëm të ciklit të parë të studimeve, që zgjat në një minimum prej tre vjetësh. Grada shkencore që jepet mbas ciklit të parë do të njihet në tregun evropian të punës si një nivel i përshtatshëm kualifikimi. Cikli i dytë do të çojë në titullin master dhe/ose doktoratë si në shumë vende Evropiane.
Vendosja e sistemit të krediteve -te tilla si sistemi ECTS - si një mjet i përshtatshëm për nxitjen e lëvizshmërisë më të gjerë të studentëve. Kreditet gjithashtu mund të përftohen dhe në kontekstin e arsimit jo-të lartë, duke përfshirë të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke siguruar që ato të njihen nga universitetet e interesuara.
Promovimi i lëvizshmërisë (Mobiliteti) duke kapërcyer pengesa drejt të ushtruarit të efektshëm të lëvizjes së lirë, me vëmendje të veçantë ndaj:
  • studentëve, mundësive të tyre për studim, trainim dhe shërbime që lidhen me to,
  • për pedagogë, kërkues dhe staf administrativ, njohje dhe vlerësim i periudhave të harxhuara në punë kërkimore brenda kontekstit Evropian, mësimdhënie dhe trainim, pa paragjykuar të drejtat e tyre statusore.
Promovimi i bashkëpunimit evropian në sigurimin e cilësisë me synim zhvillimin e kritereve dhe metodologjive krahasuese.
Promovimi i dimensioneve të nevojshme evropiane në arsimin e lartë, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e kurrikulës, bashkëpunimit ndër-institucional, skemave të lëvizshme dhe programeve të integruara të studimit, trajnimit dhe kërkimit.
Ne angazhohemi që të arrijmë këto objektiva brenda kuadrit të kompetencave tona institucionale duke respektuar plotësisht diversitetin e kulturave, gjuhëve, sistemeve kombëtare të arsimit dhe autonominë universitare , për konsolidimin e hapësirës evropiane të arsimit të lartë. Për këtë qëllim, ne do te ecim në rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar, së bashku me ato organizata joqeveritare evropiane të cilat kanë kompetenca mbi arsimin e lartë. Ne shpresojmë që përsëri, universitetet të reagojnë me shpejtësi, pozitivisht dhe të kontribuojnë në mënyre aktive për suksesin e kësaj iniciative.
Të bindur se krijimi i hapësirës evropiane të arsimit të lartë, kërkon në mënyrë konstante: mbështetje, supervizion dhe adoptim ndaj nevojave që janë në ndryshim të vazhdueshëm, ne vendosim që të takohemi përsëri brenda dy vjetësh me qëllim që të vlerësojmë progresin e arritur dhe hapat e reja që do të duhet të ndërmerren.

Nënshkruesit:

Caspar EINEM

Ministër i Shkencës dhe Transportit

(Austri)

Jan ADE

Drejtor i Përgjithshëm

Ministria e Komunitetit Flemeng

Departamenti i Arsimit

(Belgjike)

Gerard SCHMIDT

Drejtor i Përgjithshëm i Komunitetit Francës

Ministria e Arsimit të Lartë dhe Shkencës

(Belgjike)

Eduard ZEMAN

Ministër i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve

(Republika Çeke)

Anna Mmia TOTOMANOVA

Zv. Ministre e Arsimit dhe Shkencës

(Bullgari)

Tonis LUKAS

Ministër i Arsimit

(Estoni)

Margrethe VESTAGRER

Ministre e Arsimit

(Danimarkë)

Claude ALLEGRE

Ministër i Arsimit Kombëtar, Kërkimit Shkencor e Teknologjisë

(Francë)

Maija RASK

Ministre e Arsimit dhe Shkencës

(Finlandë)

Ute ERDSIEK-RAVE

Ministre e Arsimit, Shkencës, Kërkimit Shkencor e Kulturës për landin e Scheswig-holstein

Wolf-Michael CATENHUSEN

Sekretari Parlamentar i Shtetit

Ministria Federale e Arsimit dhe Shkencës

(Gjermani)

Adam KISS

Zv. Ministër Shtetit për Arsimin e Lartë dhe Shkencën

(Hungari)

Gherassimos ARSENIS

Ministër i Arsimit Publik dhe Çështjeve Fetare

(Greqi)

Pat DOWLING

Sekretar i Përgjithshëm

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

(Irlandë)

Gudridur SIGURDARDOTTIR

Sekretar i Përgjithshëm

Ministria e Arsimit Kulturës dhe Shkencës

(Islandë)

Tatjana KOKEK

Ministre Shteti për Arsimin e Lartë dhe Shkencën

(Latvia)

Ortensio ZECCHINO

Ministër i Universiteteve, dhe Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik

(Itali)

Erna HENNICOT-SCHOEPGES

Ministre e Arsimit Kombëtar dhe Arsimit Profesional

(Luksemburg)

Kornelijus PLATELIS

Ministër i Arsimit dhe Shkencës

(Lituani)

Loek HERMANS

Ministër i Arsimit, Kulturës i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës

(Hollandë)

Louis GALEA

Ministër i Arsimit

(Malta)

Wilibald WINKLER

Zv. Ministër Shteti për Arsimin Kombëtar

(Poloni)

Jon LILLETUN

Ministër i Arsimit, Kërkimit Shkencor dhe Kishës

(Norvegji)

Andrei MARGA

Ministër i Arsimit Kombëtar

(Rumani)

Eduardo Marçal GRILO

Ministër i Arsimit

(Portugali)

Pavel ZGAGA

Ministër Shteti për Arsimin e Lartë

(Slloveni)

Milan FTACNIK

Ministër i Arsimit

(Republika Sllovake)

Agneta BLADH

Ministre Shteti për Arsimin dhe Shkencën

(Suedi)

D.Jorge FERNANDEZ DIAZ

Ministër Shteti për Arsimin, Universitetet, Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin

(Spanjë)

Tessa BLACKSTONE

Ministre Shteti për Arsimin dhe Punësimin

(Angli)

Charles KLEIBER

Ministër Shteti për Shkencën dhe kërkimin Shkencor

(Zvicër)