Page:2010-215-alb.pdf/5

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
This page has not been proofread.

4. Në rastet nga paragrafët e mësipërm të këtij neni, afatet e realizimit të së drejtës në qasje të informacionit, respektivisht dokumentit, llogariten nga dita kur institucioni publik, përkatësisht resori i tij e ka pranuar zyrtarisht kërkesën e bartur nga institucioni paraprak.

5. Institucioni publik ndihmon kërkuesin, aq sa është e mundshme në bazë të arsyeshmërisë, të identifikojë dokumentin e kërkuar.

6. Kërkesat për qasje në dokumente zyrtare trajtohen në mënyrë të barabartë.

7. Kërkesa për qasje në dokumente zyrtare shqyrtohet dhe trajtohet me shpejtësi.

8. Institucioni publik obligohet që brenda shtatë (7) ditëve, prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerr vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesërishëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka për parashtrimin e një kërkese për rishqyrtim. Refuzimi i kërkesës bëhet me aktvendim me shkrim për refuzim të saj.

9. Në rast të refuzimit të plotë apo të pjesërishëm, kërkuesi mundet, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas marrjes së përgjigjes nga institucioni publik, të parashtrojë kërkesën për rishqyrtim e çështjes duke kërkuar nga institucioni që të rishqyrtojë vendimin.

Neni 8 Vazhdimi i afateve

1. Afatet për realizimin e të drejtës për qasje në informatë, respektivisht në dokumente publike, të përcaktuara me këtë ligj, mund të vazhdohen më së shumti deri pesëmbëdhjetë (15) ditë, në qoftë se:

1.1. informata ose dokumenti duhet të kërkohet jashtë institucionit publik;

1.2. me një kërkesë kërkohen disa informata ose dokumente publike, nga e njëjta palë;

2. Përkitazi me vazhdimin e afatit, institucioni publik ose sektori i tij, pa vonesë e më së voni brenda afatit prej tetë (8) ditësh të tjera pune, do ta njoftojë kërkuesin me ecurinë dhe arsyet që kanë shkaktuar shtyrjen e afatit.

Neni 9 Kërkesa për rishqyrtimin e çështjes

1. Kërkesa për rishqyrtimin e çështjes duhet të shqyrtohet brenda shtatë (7) ditësh prej kohës së regjistrimit të kërkesës për rishqyrtimin e çështjes.

5