Jump to content

Bagëti e Bujqësija

From Wikisource
Bagëti e Bujqësija (1886)
by Naim Frashëri
426242Bagëti e Bujqësija1886Naim Frashëri

[ 3 ]BAGËTI E BUJQËSIJA


    O málet' e Shqipërisë! e ju ô lísat' e gjatë!
Fúshat e gjera me lule! q' u kam ndër mënt dit' e natë,
Ju bregore bukuroshe! e ju lumënjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Dotë këndónj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, 5
O vë́ndëthit' e bekuar! ju më́ndjenë ma dëfreni.
    Ti Shqipërí, më ep nderrë, më ep emërin Shqipëtár,
Zë́mërnë ti mả gatove plot me dëshirë dhe me zjar.
    Shqipërí! ô mëma ime! ndonë se jam i mërguar,
Dashurinë t' ënde kûrrë zë́mëra s' e ka haruar. 10
    Kur dëgjón zëthin e s' ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërín dy a tri herë edhe ikën e mer dhenë,
Edhé në iprefshin udhën njëzét a tridhjetë vetë,
E tả trëmbin, ajý s' kthehet, po shkon në mest si shigjetë,

[ 4 ]

Ashtú dhe zë́mëra ime më le këtu tek jam, mua, 15
Vjen me vrrap e me dëshirë atý nër viset e tua.
    Tek burón ujët e ftohtë edhé fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukurí e m' erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atjé i kam ment e mija; 20
Atjé lint diell' i qeshur edhé hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat' atjé 'shtë tjatrë natë edhé dita tjatrë ditë,
Në pýjet' e gjelbëruar, atjé rrinë Perënditë.
    Mëndje! mer fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti, 25
Nga brengat, nga thash-e themet, nga rrëmuja, nga rremeti.
    Tek këndón thëllëza me gas edhé zogu me dëshirë,
E qýqeja duke qeshur, bilbili me ëmblësirë,
Tek hápetë trëndafili, atjé mả ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhé unë t' jả thërrés këngës e t' jả them; 30
Të shoh kédhërit e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qíellin e sbukuruar, dhenë me lul' e me dritë.
— Vashë bukurosh' e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zë́mërë të dëfryer, e me búzëzë të qeshur,
Me dy shqérrazë ndër duar të bukura, si dhe vetë, 35
Në sythit t' ënt e shoh gazë, që s' e kam gjetur ndë jetë;

[ 5 ]

Dashi sysk e me këmborë, q' eke manár, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gjas;
Dashç Perndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
— Pash' atjé pas më të gdhirë... ja atjé përtéj tek vinë! 40
    O! sa bukurí ka tufa! sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plottë! i bekoftë Perëndija!
Në për shesh' e nër bregore janë përhápurë shqerrat.
E kécërit në për rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin, edhe lozin shoku me shok, 45
Atý përhápenë me ncit, atý mblídhenë prapë tok,
Edhé prapë tufë-tufë përhápenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur,
Nxitojn' e s' lódhenë kûrrë, edhe kur i mer urija,
Sicili futet në tufë súletë ne më́m' e tija, 50
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gjî,
Rri më gjunjë dhe ze sisën e qúmështin e ëmblë pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë e ndo dele.
Birr' e vetëm e mer në gjî me gas e me përkëdhele.
    Sa të mírazë ke dhënë! Zot i math e i vërtetë! 55
E ç' nom të bekuar vure për ç' do gjë q' është në jetë!
    Sa më pëlqén blegërima, zër' i ëmbl' i bagëtisë,
Qengji edhé kec' i bukur, që rri më gjunj' e pi sisë!

[ 6 ]

Përhápurë bagëtija në për sheshe, në për brinja,
Nër lajthi e në për dushnja, ndër murriza në dëllinja, 60
Bijen zilet e këmborët dhe fýelli e xhuraja,
Dheu mblerón e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhé gjithë gjë̂ e gjallë ndjen në zëmrë një dëshirë,
Një gjas t' ë́mbël' e të shumë, ô! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz' i bukur, lopës i vete viçi pas, 65
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zëmrë të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po kërcejn' e këndojnë,
E në për dega me lule si ë́ngjëllit fluturojnë, 70
Larashi ngrihet përpjetë, thua q' ishpije Perndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzímt të gjithësisë.
    Qíelli sa ësht' i kthiellt e sa është sbukuruar!
E díelli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
    Gjithë këtó lule ç' janë? që u ngjallë me një herë! 75
Ngaha qíelli ke xbritur? ver' ô e bukura verë!
Ç' do lúlezë ka më vet·he një émër' e një fytyrë,
Një bukurí, një mirësí, një shtat, nj' erë e një gjyrë,
Si dhe ç' do drû e ç' do pemë, edhe ç' do bar e ç' do fletë,
Sa ësht' e bukur faq' e dhêut! s' të zë̂ syri gjê të metë. 80

[ 7 ]

    Gjithë kjo bukurí vallë nga dheu të ketë mbleruar?
A me të matht të tî Zoti pej parrajs' e ka dërguar?
    Veç një njerí shoh pa punë dhe të mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mejtuar, të grisur e të rreçkosur,
Lipën i gjori pa shpresë, se atjé e prû përtimi, 85
S' i ka mbetur gas në zëmrë, se s' i la vënt idhërimi;
Është njerí, si dhe neve, po épini, ô të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e buzë-plasur.
Se përtimn' i zi, q' e pruri të gjorën më këtë́ ditë.
Nuk' e dimë vet' e xgjodhi, apó jả dhanë pernditë; 90
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zë́mëra s' thuhetë zëmrë me mos pásurë mëshirë.
    Ah! edh' atjé tej mbi udhë i duket i shkreti varri!
Rrethuar me lul' e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë, e ka rarë lark shtëpisë, 95
Mërguar nga mëm' e motrë, dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si më́mëzë dh' e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhé zî për të mjérë mban.
    Tomórr! ô mal i bekuar, fron i lartë, që rij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishin Shqipëtárëtë qëmoti, 100
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt e tu ke parë.
    Lúftëra të mbëdhá shumë, e punë, që kanë ngjarë,

[ 8 ]

O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmér e frikë përhapni! përpini qíejt' e retë!
Të pa túndurë për jetë jini, pa kur oshëtini, 105
Udhëtáritë në zëmrë frikë të madhe i vini;
Kini shkëmbë́nj, gërxhe, lisa, lumë́nj, dhe dëborë ndë gjî,
Përsiprë lúlez' e gjethe dhe brënda ergjë́nt e florí;
E ju fusha bukuroshe, edhé të majm' e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar ju bregore gjelbërore, 110
Q' u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e verí, zoq e flútura e lule,
Zémërn' e várfërë t' ime atý ndër ju e kam mbluar,
Tek burón nga gjithi juaj uj' i ftoht' e i kulluar,
Jam lark jush i dëshëruar, edhé s' e durónj dot mallë, 115
Po s' e di si dua unë do t' u shoh një herë vallë!
    Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q' ikën me vërtík si plumbi,
E të vinja në gjit t' uaj, nj' ujë të ftohtë të pinja,
Edhé në për ató hije një copëherë të rrinja, 120
Syt' e ballit t' i xbavitnje, zë́mërënë tả dëfrenje,
Gazë, që paçë një herë, prap' atý ndër ju tả gjenje.
Opopó! kshu pse më vini përpara syve pa pushím?
O dítët' e djalërisë! ô moj kóhëz' e të rit t' im!

[ 9 ]

    O flútura krahë-shkruar, që fluturón nëpër erë, 125
As mer dhe zë́mrënë t' ime me vét·hezë dhe mả shpjerë
nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mëntt' e mija,
Ku shkon me zilet të madhe ogiçi për mes lajthisë,
Pa zjen e oshëtín mali ngaha zër' i bagëtisë; 130
Márrënë vrapn' e nxitojnë derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh' e ndër brigje, dhitë në shkëmp e në rripë.
    Baríu plak krrabën në dorë, edhé urdhërón të rinjtë,
E atá gjithë punojnë, ngríturë më bres pëqinjtë:
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë, 135
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilidó ndih më nj' anë;
Kush përvjél, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri mer ushqén këlyshnë, játëri përgëzon qëntë;
Stopani bër' i zi sterrë, shikón bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë, edhé punón pa përtuar; 140
Udhëtar' e gjahëtorë, q' u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...
    Kec' i mbéturë pa mëmë dhe i várfër' e i shkretë,
Mënt më́mënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
    Dëgjohet nga mez' i pyllit krrism' e sëpatës s' druvarit, 145
E sharrësë, që bën lëndë, edhé fýell' i shterparit.

[ 10 ]

    Shterpari s' i qaset stanit, po nër pyje bij' e ngrihet,
Në për maja, nër bregole, ri, këndón a gdhënt, a shtrihet;
S' i trë́mbetë syri kûrrë, vetëm ajý dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s' ka frik' as nga lis' i gjatë, 150
As nga shkëmbënjt' e nga pylli; as gogólëtë s' e hanë,
Armëtë ka shok e vëllá, mëm' e motërë xhuranë,
Miqt' e ti shqérratë janë, kécëritë, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, zíletë, këmborët, deshtë e më̂ teprë qëntë,
Që s' flenë, po rin' e ruajn bagëtinë dhe barinë, 155
Kur e shohin, tundin bishtin, dhe me gas të math i vinë;
S' e hanë njerin' e mirë edhe mikn' e udhëtarë,
Se i njohën, po të liknë, egërsírënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t' errët, del hëna i përháp dritën,
Vjen mëngjezi, sbardhëllehet, lint díell' i bije ditën; 160
Yjtë, hëna, dielli, shënja lindin e prapë perndójnë,
Gjithë ç' lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë;
Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shíu zë̂ të bjerë,
Bariu vë̂ gunën më kokë, z' eshkën me herët të parë, 165
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllén e thërrét qënët si cilen me emër veçán,
Pa kur dérdhetë baliku! újkun' e zë̂ edh' e përlán,

[ 11 ]

Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull kërkón,
Papó bariu shum' ahere vë re dhe mba vesh e dëgjón, 170
Dhe sokëllín me zë̂ të math, tunden malet e shkëmbënjtë,
Gumzhitin pyjet' e veshur, e oshëtijnë përrenjtë!
    Ësht' e lehtë dhî e stanit, që kullót gjethen e malit,
Dhe bij' e fle maja shkëmbit e pi újëthit e zallit,
Dhi e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në vath' e nënë strehë, 175
E pi ujët e rrëkesë edhé shtrihetë në plehë,
Ësht' e bútëz' edh' e qetë dhe e úrtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andáj i thonë bravare.
    Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plákëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën nga-dale e del me kusí në dorë, 180
Rri në dérëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin' e dalën, i mjel plákëz' e drobitur;
Plaku le shkopnë më nj' anë e bën gardhin a zë̂ shteknë,
Bariu vë̂ tufën përpara, vasha përkëdhél sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë, edhé bën bukën e gjellën, 185
Ishoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar, edhé bashkë me gomarrë
Rráhënë të hedhin murrë, të hanë bimën a barrë;
Një grua vete në krua, e játëra zë̂ të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjátëra bën ç' të muntnjë. 190

[ 12 ]

    Na hijnë shumë në punë káfshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë́ jetë shok' e ndihmës Perëndija;
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s' rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga urija, dot' ish lakuríq e shkretë;
Gjë̂ e gjallë na vesh, na mbath, dhe na ushqén e na xbavít, 195
Kur shtohet e vete mbarë, jetënë t' ën' e përsërit;
Edhé dhêu, që na ep drithë, si do tả kemi punuar,
Nukë pjell mirë, si duam, po s' e patmë plehëruar.
    O shokët' e njeriut! Zoti u shtoftë e u bekoftë,
Dhe shpirti im mik për jetë, sindëkúr kaqën' u qoftë. 200
    Káfshët' edhé bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t' i shohë, t' i ketë kujdés, t' i dojë.
    Të mos t' i mundojmë kûrrë, po si fëmijë t' i kemi,
Është mëkat edhé fjalë të ligë për to të themi.
    Dellëndyshe bukuroshe! që thua míjëra fjalë, 205
Dhe të k' ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga shqipëria? eni vjen pej Çamërije
Me këtó mílëra fjalë e me gluhë perëndije?
Apo vjen nga labëria, pra më duke kaqë trime?
Edhé fjálëtë, që thua, më gëzojnë zëmrën t' ime, 210
Q' është thier, bërë milë copë, posí një pasqírë,
Duke këputur nga cmagu, që s' e kanë vartur mirë;

[ 13 ]

Apo vjen nga fush' e korçës, nga vënd' i mir' e i gjerë,
Pe zémbrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen pej Malësije, pej Skrapari, pej Dobreje, 215
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor' e pej Myzeqeje?
    Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti!
Me gas të math dot' i vinjam Shqipërisë brënda në gjî!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E me arth ke ti, ô Shkodrë të shof Drinin e Bujanën. 220
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek, e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë, dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krójënë e Skënder-Begut, q' i ka pas dhân ner Shqypnisë,
Tue bâm me tnimní luftë, e m' e munt mren' e Tyrqísë,
    Durrës! ô qytet' i bukur, që je kërthiz' e mëmëdheut, 225
Edhé tí Leshi me emrë! që ke éshtrat' e Skënder-Béut,
Bûrrat t' uaja që trima do tả lenë vall' Ylqinë
Edhé gjithë Shqipëtarët, tả mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan, e s' e besónj, kam te Zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë. 230
    Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllézërit Shqipëtarë, që venë në pun' e vinë,
Búrratë trima me besë dhe Shpirt-mir' e punëtorë,
Dhe fúshatë gjithë lule e máletë me dëborë.

[ 14 ]

    O fúshazëtë pëllore! që m' ushqeni Shqipërinë, 235
Do të këndónj bukurinë t' uaj edhe bujqësinë.
    Ti Perndí e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht' e më ndih pakë, ô motra im' e të gjorit!
    Më ke leshrat të florinjta, e të ergjëndtë krahrorë,
Ball' e gush' e faq' e llërë dhe këmb' e duar dëborë; 240
Sikundëkúr dô malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhé fusharakët dhe arat e bujqësinë.
    Edhe Ti! ô Më́mëz' e dheut! q' i fale dheut aq' uratë,
Sa pjell míjëra të mira e kûrrë s' mbétetë thatë!
I dhe lul' e bar e gjethe, bim' e drith' e pem' e drurë, 245
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanísk jả ke prurë.
    Të keqen! ô sy-mëshqerë! shikomë një herë në syt:
Si lulet' e si bilbili edhé unë jam djali yt.
    Gjithë këtó farë lulesh! e këtë́ të bukur erë!
Këtë́ mblerím! këtó gjyrë! vallë nga ç' vent t' i kesh nxjerë! 250
O sa e madhe bukurí! as më thua ku e more!
O bukuroshe! t' ubëfsha! ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir' i Zotit?
Nga qíelli? nga parrajsa? nga préhër' i plott' i motit!
    Kudó shkel kë́mbëza jote, gëzohet vendi e mblerón, 255
Tekdó heth sythit e qeshur, bukurij' atjé lulëzón!

[ 15 ]

    Ti zbukurón fáqen' e dheut, ti dô e ushqén njerinë
Më të gjallë, dhe pas vdekje e pret duke hapur gjinë!
Vjen dímëri, t' i than lulet, ti me një frym' i ngjall prapë,
Nápënë q' u heth përsiprë, uả heq me ver' e me vapë. 260
    Bujkun e xgjuan me natë, edhe vë̂ përpara qetë,
Nísetë pa zbardhëllyer për púnëzët të vërtetë,
Mer plúarin e parmëndën, xgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trájstënë, lakrorë, qenë...
Shërbëtor' i Më́mës' së dheut, q' e ka zë́mrënë plot shpresë, 265
Del kur hapet trëndafili, dhe bari 'shtë gjithë vesë,
I falet Zotit t' vërtetë dhe zihet nga pun' e mbarë,
Zë́mër zën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.
    Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeríu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime! 270
Si të punósh dit' e natë e të bësh ç' dúhenë gjithë,
Ahere kërkó nga Zoti të t' apë búkëz' e drithë.
    Njerí! punó, mos psho kûrrë dhe lark nga makutërija,
Zë́mërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t' ep Perndija.
    Puna ka duk e uratë, Zot' i math e ka bekuar, 275
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.
    Ver' ô e búkura verë! që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësí, me bukurí, me gas të math, me duar plot,

[ 16 ]

Sindëkúr çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtú na bije nga qjelli një gas në zëmërt t' ënë. 280
    Zot' i math e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të sbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë
I dha zjar e flakë djellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dímërin e verën, dhe zemrës s' an' i dha shpresë.
    Për të arríturë rrushnë ç' ka punuar Perëndija! 285
Qíelli, dhêu, díelli, shiu, njeríu, tërë gjithësija!
S' është çudí pse na dëfren ver' e bukur zëmrën t' ënë,
Ç' ka punuar Perëndija edhe njeriu sa e bënë!
Ju shokë kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos uzihni, mos ushani, mos lëvdohi, mos qërtohi; 290
Se përçmoni Perëndinë, q' i ka falur herdhisë rrush,
Edhé kërkon dashurinë e ndodhet pshétazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bë́jeni zëmrën të gjerë edhe, shtoni dashurinë, 295
Mirësinë, njerëzinë, dhe besën e miqësinë;
Se në breng' e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mírretë vesh njeriu i lik, njíhetë njeriu i mirë.
    A e shihni gjithësinë? yjtë díellinë hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, kashtën' e kúmtërit, shënjën, 300

[ 17 ]

Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn' e punojnë,
Njëri játërit i ndihin, ashtú punën e mbarojnë!
Në mest të këti rremeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë? apo të bjerë në gjumë?
    Mundóhetë punëtori, po në zë́mërzët të qetë 305
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin' e plottë të kërrúsurë nga barra,
Dhe parrajsën e vërtetë të tfáqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn' e kashtën më nj' anë
U heth kúajve e qevet, që janë lodhur, të hanë, 310
Kur e përmbúsh plot shtëpinë me drith' e me gjë të gjallë,
Shtronet me urí në bukë e ha me djersë në ballë.
    Sheh pjérgullnë, manë, fiknë, thánënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vádhënë, ftúan, qershinë,
Kúmbullatë, zerdëlinë, ngarkuar në pemë gjithë, 315
Oborrë plot gjë̂ të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zë́mëra i gëzohet, pa i faletë Perndisë,
Q' e çpërblén punën e djersën e mundimn' e njerëzisë.
    Qysh rroít mblét' e uruar, dhe ven' e vin' e lëçijnë,
Ca húallinë ndërtojnë, Ca në për lule shëndijnë. 320
O! ç' punë me mënt punojnë! sa bukur e bëjn' e mirë!
N' apin dýllëtë, q' ep dritë! dhe mjaltë fjesht' ëmbëlsirë!

[ 18 ]

Dhe punëtorët' e mirë m' atë́ mëndyrë punojnë,
Edhé gjithë njerëzija me mundímt t' atyre shkojnë,
Njëri mih, játëri lërón, njëri mbjell, játëri prashít, 325
Kush t·harr, kush korr, kush mbleth duaj, kush shin, kush shartón, kush krasit,
Një bën plúar' e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një mer e ep, një mbath, një shikón mullinë,
Ç' do njerí një̂ farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht' udh' e Perëndisë, ky ë̂ nom i gjithësisë, 330
Edh' ajó miza përdhese, ç' i dúhetë për të ngrënë,
Është rrahur e përpjekur e me kóhëz' e ka vënë!
Ka një punë të punonjë si ç' do gjë̂ q' është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot' i math e i vërtetë.
    Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prhëet, 335
Sheh shtëpízënë me kamje, edhé zë́mëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n' avlëmë́nt e në të tjera,
Edhé jashtë fryn e bije, por kur nâ, trokëllín dera,
Është nj' udhëtár i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngirë të mjerit vesh' e goj' e këmb' e dorë, 340
Ngrihet i zot' i shtëpisë, edhé të huajthin e mer,
E vë̂ në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shóhënë, që vjen, i ngrihen gjithë fëmija;
Se të húajnë më derë na e dërgón Perëndija,

[ 19 ]

Pa i bëjnë zjar, e ngrohet, edh' e mbajnë me të mirë 345
I sjellin shtresë të flerë, edhé të ngrën' e të pirë.
    Kështú të húajt' e miqtë njeríu, q' është i uruar,
I pret me krahërór hapur, e i përsjell të gëzuar.
    Në verë, që çelen lulet, qíelli ndrin si pasqyrë,
Sbukuróhetë faq' e dheut e mer míjëra fytyrë, 350
Pa ngjállenë më ç' do lule, më ç' do bar, e më ç' do fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dhêu si mbletë.
    Shpest' e mízatë këndojnë, e kuajtë hingëllijnë.
Lulet' e búkura m' erë si ar e si florí ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gatí ugarrë, 355
Kalórësi i shkon njatë, dhe i thotë — puna mbarë —
Papó mer anën e lumit, me zë́mërë të gëzuar.
Këndón, fishëllén, a vete nga-dalë, duke mejtuar,
Vë̂ re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër mënt të tî i bije ca t' ëmbla shumë mejtime. 360
Váshazëtë bukuroshe, posi shqératë manare,
Si kapërrollet e malit, si thëllë́zatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sŷ e në buzë, e me lúlëzë nër duar,
Përveshin llërët e bardha dhe të májm' e të perndijta, 365
Púlpazëtë bukuroshe, e kë́bmëzët e kërthijta;

[ 20 ]

Dellëndyshja, që fluturón, e ndéhetë për mi lumë,
U afróhetë si mike e u thotë fjalë shumë;
Dhe mëshqer' e përkëdhelur vjen në lumë të pij' ujë,
A të prë́hetë në hije, a të bënjë gjë̂ rrëmujë. 370
    Bari, bima vatur më bres, e bujku shum' i gëzuar,
Si baríu kur merr kërthinë edh' e përkëdhél ndër duar.
    Bilbili jả thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
    Veç një váshëz' e mjerë qan të mótrënë, q' e ka lënë, 375
O! është mbuluar në dhê váshëza fytyrë-hënë!
Mëma dhe mótëra mbetur në zî e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manárez' e saj, e përzíshmez' e për lumë!
Të këpút shpírtinë plaka kur zë dhe nëmërón e qan,
Ah! i ziu njerí në jetë sa heq e sa durón e mban! 380
    Vashën vërtét e mbuluan, po shpirt' i saj në qiej shkoj,
Hapi kráhëthit e lehtë, në hapësiret fluturój,
Bukurí e saj upërzjé me bukurizët të prillit,
Me fjálëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit;
Gjësendi s' húmbetë kûrrë, e gjë̂ s' vdes me të vërtetë, 385
Mase ndryshóhenë pakë, po janë në këtë́ jetë;
As shtohet, as pakësohet, as príshetë gjithësija,
Vdesën e ngjállenë prapë si gjith' edhé njerëzija,

[ 21 ]

Këtú janë gjithë ç' janë, e gjithë ç' gjë̂ munt të jetë,
Ëngjëllitë, perënditë dhe ajý Zot' i vërtetë! 390
Se një trup e një shpirt është gjithësija, që s' ka anë,
Të gjallë edhé të vdekur, gjithë brënda në të̂ janë.
    Perëndija njerin' e parë e mori prej dore vetë,
E sbriti mi faqet e dheut, q' ish me lúlez' e fletë,
Më̂ të dréjtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti, 395
E bëri të zótthin' e dheut edhé kështú e porsiti:
    Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtú, më paç uratë,
Mos ulóth e mos psho kûrrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punón gjithësija? ashtú të punósh edhe ti,
Të mos rrish kûrrë pa punë, e të vësh dúartë në gji. 400
Mos ubë́j i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgjohu nga të këqijat, pej ç' do farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhje, pej marrëzije,
Mos vra, mos mer tek s' ke vënë, edhé ki nom dashurinë, 405
Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë;
Në bëfsh mirë, liksht s' gjen kûrrë, pônë bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë, dhe në zë́mërë mëshirë,
Ji i but' i urt' i vjyer, e mos ubë́j kûrrë makút,
I égër e i mërzitur, dhe i mahnitur si ladút, 410

[ 22 ]

Mos jủafró dhelpërisë, po së dréjtësë jủnís pas;
Në dëgjófsh fjalët e mija, do të jesh gjithënjë́ në gas.
    Nga gjithë ç' pat gjithësija të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në ubë́fsh, si them, i mirë, emr' i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt, të mësósh, të vërtetën me të̂ tả shohç, 415
Dhe zë́mër' e vetë-dijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
Do të të le dhe nevojën, údhënë të të tregonjë,
Të të ndihnjë më ç' do punë, të të psonj' e të të xgjonjë.
    Gjithë të mirat që janë, këtú në dhêt i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s' nxjer dot pa dirsur e pa munduar, 420
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmó thell' e më̂ thellë,
Ç' do gjë̂ që të duhet kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjë́rërazë të vlera do të gjesh ti këtú brenda,
Edhé përsipërë soje, e sa do të t' i ket ënda!
    Me fuqít që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë 425
Të març udhën e së mirës, e të gjesh të madhe dritë,
Të març vesh dale-nga-dale sa púnëra që kam bërë,
Diell, hënë, ŷj, dhê, qiej, e gjithësinë të tërë!
    Po që ubëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, — qofsh i mallëkuar, edhé mërgúarë prej meje. — 430
    Të parit t' ënë Perndija këtó fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.

[ 23 ]

    Det i p' an' i mirësisë! q' emrin t' ënt s' e zë̂ dot ngoje!
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtëshinë, mirësinë, njerëzinë, 435
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu shéshevet lul' e bar dhe pýjevet gjeth e fletë,
Resë shi, áravet bimë, e mos lerë gjë̂ të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kallíut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënje, zë bilbilit, 440
E drúrëvet epu pemë, dhe uratë bagëtisë,
Dërgó dhëmbj' e kujdés për tô në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls' e vështit rrush, dhe vózesë fali verë,
Mos e lerë pa të̂ kûrrë, kûrrë thatë mos e lerë,
Fali díellit flak' e zjar, dhe hë́nës' e yjet dritë, 445
Edhé detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull. dhe njérëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkójnë.
    Tregóm' u dhe Shqipëtaret údhën e punës së mbarë
Bashkóm' i, bëm' i vëllezër, edhe fjeshtë Shqipëtarë, 450
Fal m' i, fal m' i Shqipërisë dítën' e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.
    Nxir të vërtétën në shesht, pas këtâj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjéshtëra të pushonjë.

FUNT

Me 5-ta majit 1886