Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e tretë

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Pjesa e dytë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Pjesa e tretë (Kuvendi)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë
Pjesa e katërt



Kreu I [Zgjedhja dhe Afati][edit]

Neni 64[edit]

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to.
  2. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve.
  3. Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë nga listat shumemërore përkatëse.

Neni 65[edit]

  1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.
  2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
  3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

Neni 66[edit]

  1. Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu.

Neni 67[edit]

  1. Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve.
  2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi duhet të mblidhet vetë brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.

Kreu II [Deputetët][edit]

Neni 68[edit]

  1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.
  2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet.

Neni 69[edit]

  1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
    1. gjyqtarët, prokurorët;
    2. ushtarakët e shërbimit aktiv;
    3. punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
    4. përfaqësuesit diplomatikë;
    5. kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
    6. kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
    7. Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
  2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Neni 70[edit]

  1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
  2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
  3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
  4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Neni 71[edit]

  1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
  2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
    1. kur ai nuk bën betimin;
    2. kur heq dorë nga mandati;
    3. kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
    4. kur mbaron mandati i Kuvendit;
    5. kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
    6. kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Neni 72[edit]

  1. Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend.

Neni 73[edit]

  1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
  2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
  3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
  4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.

Kreu III [Organizimi dhe Funksionimi][edit]

Neni 74[edit]

  1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.
  2. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.
  3. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar.

Neni 75[edit]

  1. Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet.
  2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.

Neni 76[edit]

  1. Kryetari kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët.
  2. Nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit është sekretari i përgjithshëm.
  3. Shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin e Kuvendit kryhen nga nëpunës të tjerë, siç përcaktohet në rregulloren e brendshme.

Neni 77[edit]

  1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
  2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
  3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Neni 78[edit]

  1. Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar.
  2. Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë.

Neni 79[edit]

  1. Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura.
  2. Me kërkesën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të një së pestës së deputetëve mbledhjet e Kuvendit mund të bëhen të mbyllura, kur për këtë kanë votuar shumica e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 80[edit]

  1. Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.
  2. Anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë që e kërkon.
  3. Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre për sa e lejon ligji.

Kreu IV [Procesi Ligjvënës][edit]

Neni 81[edit]

  1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës.
  2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
    1. ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
    2. ligji për shtetësinë;
    3. ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
    4. ligji për referendumet;
    5. kodet;
    6. ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
    7. ligji për statusin e funksionarëve publikë;
    8. ligji për amnistinë;
    9. ligji për ndarjen administrative të Republikës.

Neni 82[edit]

  1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij.
  2. Asnjë projektligj joqeveritar që bën të nevojshme rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit ose që pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit.
  3. Në qoftë se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda afatit të mësipërm, projektligji kalon për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme.

Neni 83[edit]

  1. Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi.
  2. Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një së pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit.
  3. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit dh.

Neni 84[edit]

  1. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.
  2. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85.
  3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
  4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

Neni 85[edit]

  1. Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.
  2. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.