Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e parë

From Wikisource
Jump to: navigation, search
Preambula Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Pjesa e parë (Parime Themelore)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë
Pjesa e dytë



Neni 1[edit]

  1. Shqipëria është republikë parlamentare.
  2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.
  3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.

Neni 2[edit]

  1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
  2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose kurre nuk mund te jet i drejperdrejte
  3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtarë, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 3[edit]

  1. Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia

shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t'i mbrojë.

Neni 4[edit]

  1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.
  2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.
  3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.

Neni 5[edit]

  1. Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.

Neni 6[edit]

  1. Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.

Neni 7[edit]

  1. Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Neni 8[edit]

  1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
  2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
  3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Neni 9[edit]

  1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.
  2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.
  3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

Neni 10[edit]

  1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
  2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
  3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.
  4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.
  5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.
  6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve.

Neni 11[edit]

  1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
  2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
  3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.

Neni 12[edit]

  1. Forcat e armatosura sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues.
  2. Forcat e armatosura ruajnë asnjanësinë në çështjet politike dhe i nënshtrohen kontrollit civil.
  3. Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 13[edit]

  1. Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.

Neni 14[edit]

  1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.
  2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
  3. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut.
  4. Himni kombëtar është “Rreth Flamurit të Përbashkuar”.
  5. Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori.
  6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë është Tirana.
  7. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj.