Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli I

From Wikisource
Jump to navigation Jump to search
Preambula Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli 1 (Dispozitat Themelore)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli II



Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit][edit]

  1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.
  2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.
  3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.


Neni 2 [Sovraniteti][edit]

  1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.
  2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
  3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare.

Neni 3 [Barazia para Ligjit][edit]

  1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
  2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Neni 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit][edit]

  1. Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ.
  3. Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë.
  4. Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar.
  5. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.
  6. Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
  7. Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

Neni 5 [Gjuhët][edit]

  1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe.
  2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj.

Neni 6 [Simbolet][edit]

  1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat

pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.

  1. Pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj.

Neni 7 [Vlerat][edit]

  1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut.
  2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.

Neni 8 [Shteti Laik][edit]

  1. Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Neni 9 [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare][edit]

  1. Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare.

Neni 10 [Ekonomia][edit]

  1. Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Neni 11 [Valuta][edit]

  1. Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme.
  2. Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës është i pavarur dhe quhet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.


Neni 12 [Pushteti Lokal][edit]

  1. Njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat.
  2. Organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj.

Neni 13 [Kryeqyteti][edit]

  1. Kryeqyteti i Republikës së Kosovës është Prishtina.
  2. Statusi dhe organizimi i kryeqytetit rregullohet me ligj.

Neni 14 [Shtetësia][edit]

  1. Fitimi dhe humbja e së drejtës së shtetësisë së Republikës së Kosovës rregullohet me ligj.

Neni 15 [Shtetasit jashtë Vendit][edit]

  1. Republika e Kosovës mbron interesat e shtetasve të saj jashtë vendit, në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Neni 16 [Epërsia e Kushtetutës][edit]

  1. Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë.
  2. Pushteti qeverisës buron nga Kushtetuta.
  3. Republika e Kosovës respekton të drejtën ndërkombëtare.
  4. Secili person dhe organ në Republikën e Kosovës u nënshtrohet dispozitave të Kushtetutës.

Neni 17 [Marrëveshjet Ndërkombëtare][edit]

  1. Republika e Kosovës lidh marrëveshje ndërkombëtare dhe anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
  2. Republika e Kosovës merr pjesë në bashkëpunim ndërkombëtar për promovimin dhe mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Neni 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare][edit]

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje:
    1. territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
    2. të drejtat dhe liritë themelore;
    3. anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare;
    4. marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.
  2. Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
  3. Presidenti i Republikës së Kosovës ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare.
  4. Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njejtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
  5. Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare rregullohen me ligj.

Neni 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare][edit]

  1. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji.
  2. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.

Neni 20 [Bartja e Sovranitetit][edit]

  1. Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare.
  2. Nëse një marrëveshje anëtarësimi e ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësisë miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.